Kompania e drejtuar nga Arben Mustafa, djali i kryeministrit Isa Mustafa, është favorizuar nga Qeveria e Kosovës. Ministria e Infrastrukturës e ka ‘legjitimuar’ për terminal të mallrave, më shumë se një vit para se kjo kompani të pajisej me licencë.
Insajderi ka zbuluar se Qeveria e Kosovës ishte kujdesur që t’i jepte epitetin ‘Terminal i Mallrave’ kompanisë “Inter Europa Kosova”, pesëmbëdhjetë muaj para se ta pajiste me licencë. Me këtë epitet e emëronte në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, ndonëse kompania nuk ishte e licencuar për të ofruar këtë shërbim.
Insajderi ka siguruar raportin e komisionit ministror që kishte bërë vlerësimin e terminaleve. Është emërtuar “Vlerësimi i kapaciteteve ekzistuese në terminalet e mallrave”. Në mesin e tyre figuron edhe “Intereuropa Kosova”. Dokumenti është protokolluar më 19 nëntor të vitit 2014.
Për koinçidencë, po atë ditë kishte marrë fund bashkëpunimi mes LDK-së, Lëvizjës Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës i njohur si Blloku VLAN. Pas prishjes së bllokut Isa Mustafa, kreu i LDK-së, bëri marrëveshje me PDK-në që atëkohë udhëhiqte qeverinë.
Ministria e Infrastrukturës nuk dha përgjigje në pyetjen e Insajderit se pse në këtë raport të inspektimit të terminaleve figuron edhe kompania “Inter Europa Kosova”.
Kjo kompani, bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit, është në pronësi të kompanisë sllovene “Intereuropa D.D”, dhe Hazbi Hasanit. Ndërsa Arben Mustafa dhe Andrej Karl figurojnë si persona të autorizuar në këtë biznes. Emri i kësaj kompanie figuron edhe në deklarimin e pasurisë së kryeministrit Isa Mustafa. Kur Mustafa kishte deklaruar pasurinë më 2010, në cilësinë e kryetarit të Prishtinës, kishte shënuar se pesë për qind të aksioneve në këtë kompani i ka djali i tij.
Insajderi ka pyetur autoritetet doganore lidhur me licencimin e kësaj kompanie për të operuar si terminal doganor i mallrave. Po ashtu autoritetet doganore janë pyetur nëse e njëjta ka pasur licencë më herët, pasi që është përfshirë në këtë raport bashkë me shtatë terminalet tjera që posedonin licencë.
“Dogana nuk ka informatë nëse kjo kompani ka marrë licencë për terminal”, ka deklaruar Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.
Ka shtuar se për momentin kjo kompani ka vetëm statusin ligjor të depos së mallrave, por jo edhe të terminalit të mallrave.
“Për momentin në doganë kjo është depo publike e mallrave”, ka pohuar Stavileci. Kjo kompani ka marrë këtë status para dhjetë vitesh, më 2006.
Ligjërisht i vetmi autoritet që obligohet ta inspektojë këtë kompani është Dogana e Kosovës, institucioni që i ka dhënë pëlqimin për të funksionuar si depo publike doganore, që është një rang më i ulët se sa terminali i mallrave. Depoja publike doganore është e kufizuar në ofrimin e shërbimeve në raport me terminalet e licencuara të mallrave, që janë biznese më fitimprurëse.
Por në dokumentin e Ministrisë së Infrastrukturës, përveç emërtimit, edhe veprimtaria e kësaj kompanie përshkruhet në kundërshtim me deklarimet e autoriteteve doganore.
Tek kapitulli “Terminali i mallrave-Intereuropa”, thuhet se ky terminal e posedon edhe një depo publike doganore. Kjo ka ndodhur edhe përkundër se autoritetet doganore konfirmojnë se kjo kompani nuk ka status tjetër juridik përveç të depos publike doganore.
“Në kuadër të këtij terminali ekziston edhe depo publike doganore e cila ndërlidhet me shërbimet e terminalit të mallrave dhe Doganën e Kosovës”, thuhet në raportin e inspektimit të terminaleve, të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës.
Raporti vazhdon tutje duke shtuar se “Intereuropa i posedon 600 shleperë, kryen shërbime logjistike, transport depo, shërbime terminali etj”.
“Mesatarja e kamionëve të cilët zhdoganohen në këtë Terminal të Mallrave është 20 deri në 30 kamionë brenda ditës”, thuhet në këtë raport.
Ministria e Infrastrukturës nuk jep detaje për terminalin e drejtuar nga djali i kryeministrit
Vetë kjo ministri ka konfirmuar para disa javësh se kompania “Intereuropa Kosova”, është licencuar tek në vitin 2016.
Burim Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të departamentit të transportit tokësor në Ministrinë e Infrastrukturës, më 24 mars të këtij viti, ka konfirmuar për Insajderin listën e kompanive të licencuara për terminale të mallrave. Ai është pyetur për datat e licencimit të terminaleve dhe se për sa prej tyre është vendosur për vazhdimin e licencës.
Krasniqi ka treguar se, bazuar ne evidencat e drejtorisë së transportit tokësor, aktualisht operojnë nëntë operatorë të licencuar nga Ministria e Infrastrukturës për ushtrimin e veprimtarisë së terminaleve të mallrave në Kosovë.
Bazuar në evidencat e kësaj drejtorie, pesë kompani janë licencuar më 2013, një është licencuar më 2011, një më 2014 ndërsa dy tjera janë licencuar më 2016. Këtë vit janë licencuar kompanitë “City Park“ dhe “Inter Europa Kosova“.
Insajderi, më 3 prill të këtij viti, raportoi për vendimin e Qeverisë për ta licencuar kompaninë e drejtuar nga djali i kryeministrit Isa Mustafa. Kanë kaluar një javë nga ky raportim dhe Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka dhënë përgjigje se kur ka aplikuar për licencë kompania “Inter Europa Kosova”.
Po ashtu nuk ka dhënë detaje se cilat kritere ka plotësuar kjo kompani. Saranda Jusufi, udhëheqëse e divizionit për komunikim publik në Ministrinë e Infrastrukturës, ka shpjeguar në përgjithësi rregullat që duhet të ndiqen nga aplikuesit që kërkojnë të marrin licencë për terminal të mallrave.
“Sa i përket licencimit të të gjitha terminalave, duke përfshirë edhe terminalin “Inter Europa”, pasi që pyetja është drejtaur direkt për të, behët në bazë të proceduave të paraprara me Udhëzimin Amdinistrativ 08/2015, gjegjësisht duke ndjekur procedurat sipas nenit 14 të këtij Udhëzimi Amdinsitrativ”, ka deklaruar Jusufi.
Insajderi i ka dërguar pyetje edhe Arben Mustafës, drejtuesit të kompanisë “Inter Europa Kosova”. Ka kërkuar informacione se kur ka aplikuar kjo kompani për tu pajisur me licencë dhe se pse figuron si terminal në raportin e vitit 2014 të Ministrisë së Infrastrukturës. Mustafa ende nuk ka dhënë përgjigje.