Slobodan Vujçiq, kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës i ka bërë thirrje qeverisë që të mos i nënshtrohet sipas tij, shantazhit të deputetëve serbë mbi Demarkacionin me Malin e Zi dhe se asgjë e askush s’do të shkaktojë përçarje në mes Malit të Zi e Kosovës.
“Shteti i Kosovës nuk duhet t’i lejojë deputetët serbë që t’i shantazhojnë mbi ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, për shkak se asnjë gjë nuk do t’i prishë marrëdhëniet tradicionalisht të mira në mes shqiptarëve dhe malazezëve. Dëshira për të prishur raportet në mes të dyja vendeve, do të mbetet ëndërr e parealizuar e të gjithë kundërshtarëve të qytetërimit dhe vlerave tradicionale”, ka thënë Vujçiq, transmeton Klan Kosova.
Vujçiq është shprehur se edhe në rast se marrëveshja për demarkacionin nuk kalon në Kuvendin e Kosovës, kjo s’do të jetë indikator për prishje të raporteve ndërshtetërore.
“Ne si malazezë të Kosovës, jemi të sigurt se edhe nëse demarkacioni me Malin e Zi nuk ratifikohet nga parlamenti, kjo s’di t’i prishë marrëdhëniet në mes nesh. Përkundrazi, ato do të jenë vetëm e më të thelluara në të gjitha fushat”.
Në një letër drejtuar mediave, Vujçiq thotë se Mali i Zi e Kosova kanë e kanë dëshmuar miqësinë me njëra tjetrën edhe në momentet më të vështira të luftës dhe se është i sigurt se rezultati përfundimtar i demarkacionit do të jetë në interes të të dy popujve.