“Lugina e Diellit” popullohet me serbë të Kralevës

E publikuar: 24/09/2016 08:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar në Kralevë se në vendbanimin “Lugina e Diellit”, e cila është duke u ndërtuar në komunën e Zveçanit, fare pranë lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, do të vendosen serbë që aktualisht jetojnë në Kralevë.

Sipas një komunikate të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të cilën e përcjellin mediet serbe në veri të Mitrovicës, Gjuriq ka thënë se në Kralevë aktualisht jetojnë më shumë se 20 mijë refugjatë nga Kosova, të cilët presin të kthehen në Kosovë, shkruan gazeta ‘Zeri’.

“Jemi marrë vesh që drejtuesit e Kralevës të kyçen në procesin e regjistrimit të familjeve të interesuara të kthehen në Kosovë dhe të jetojnë në lagjen ‘Sunca Dolina’ (Lugina e Diellit), popullimi i së cilës do të fillojë pas përfundimit të ndërtimit të këtij vendbanimi, pas dy vjetësh”, tha Gjuriq.

“‘Lugina e Diellit’ do të përfundojë në vitin 2018. Do të thotë se në mesin e vitit 2017 ne duhet që njerëzve t’ua paraqesim se ku saktësisht dëshirojnë të kthehen, se si duken ato shtëpi, në të cilat secili prej nesh do të dëshironte të jetonte, sepse nuk bëhet fjalë për ndërtesa sociale, por objekte kualitative”, ka thënë Gjuriq në takimin me kryetarin e Kralevës, Predrag Terziq.