Lideri i rrëzuar i Katalonjës ikën nga vendi

E publikuar: 30/10/2017 15:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i rrëzuar i Katalonjës, Carles Puigdemont, është larguar nga Spanja dhe ka udhëtuar për në Bruksel, njoftojnë zyrtarët e Qeverisë spanjolle.

Puigdemont është duke u përballur me akuza për rebelim dhe kryengritje nga Qeveria e Spanjës, pasi Katalonja e shpalli pavarësinë javën e kaluar nën udhëheqjen e tij, transmeton Express.

Ndërkohë, dje, ministri i Migrimit i Belgjikës, Theo Francken, tha se ish-presidentit të Katalonjës mund t’i pranohet azili në vendin e tij.

Mediat spanjolle raportojnë se ish-lideri i Katalonjës është shoqëruar nga një numër i paspecifikuar anëtarësh të Qeverisë së Katalonjës.

Të premten, Qeveria qendrore në Madrid e shkarkoi Puigdemontin bashkë me Qeverinë e tij dhe nga sot do ta marrë kontrollin e institucioneve të Katalonjës. Po ashtu, pritet zëvendësimi i gjithë shërbyesve civilë me zyrtarë spanjollë./Express/