Liderët fillojnë të mblidhen në zyrën e Thaçit

E publikuar: 30/08/2018 15:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkë me partnerët e tij në qeveri kanë shkuar në zyrën e Presidentit Hashim Thaçi për një takim në të cilin raportohet se do të bisedohet për propozimin e tij të fundit për korrigjimin e kufijve.
Për Haradinajn, kjo është përballja e tij e dytë sy më sy me Hashim Thaçin brenda ditës, shkruan Express.

Në takim janë parë të jenë futur edhe dy zëvendës kryeministrat e Kosovës, Fatmir Limaj e Dardan Gashi, aleatë të Haradinajt në qeverinë e Kosovës ndërsa nuk dihet nëse në takim është i pranishëm edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, si partneri më i madh në qeveri.

Mbrëmë AAK e Haradinajt doli zyrtarisht kundër idesë së Thaçit për ‘korrigjimin e kufijve’ me Serbinë.

Më herët, Thaçi tha se ka pasur një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell nga i cili tha të ketë marrë mbështetje për propozimin e tij për korrigjimin e kufijve.