Lexoni letrën e Zbogarit për gjendjen në RTK

E publikuar: 16/04/2015 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dalë me një qëndrim lidhur me gjendjen në Radio Televizonin e Kosovës. Letra është e përbashkët e Komisionit Evropian, Shërbimit të Jashtëm të Veprimit Evropian në Bruksel dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

“Të nderuar përfaqësues të Sindikatës së RTK-së,

Ju falënderojmë për letrën e dërguar në muajin mars, ku ju ndani me ne shqetësimet lidhur me mënyrën se si menaxhohet transmetuesi publik. Kemi marrë parasysh aludimet serioze në lidhje me shkeljen e të drejtave të kolegëve tuaj, të drejtave të sindikalistëve si dhe të drejtën që të ushtrohet profesioni juaj në mënyrë të pavarur.

Këtë çështje po e përcjellim me vëmendje të veçantë. Anëtarët e ekipit tim kanë zhvilluar takim me një numër të redaktorëve të RTK-s më datën 6 mars, kur janë ndarë shqetësimet e ngjashme. Bashkimi Evropian i kushton rëndësi të veçantë lirisë së të shprehurit si dhe lirisë së mediave. Ne konsiderojmë se transmetuesi publik ka rëndësi të veçantë sepse duhet të ketë rolin primar që t’i shërbejë publikut dhe të jetë i pavarur, i paanshëm dhe i lirë nga influenca komerciale apo qeveritare.

Çështjet që janë të lidhura me transmetuesin publik, rregullisht kanë gjetur vend edhe në Raportin e Progresit, ku Bashkimi Evropian në mënyrë konstante ka ngritur shqetësimin lidhur me ndikimin politik në punën e transmetuesit publik. Kemi kërkuar nga Parlamenti i Kosovës që të sigurojë parakushtet për një transmetues publik të pavarur dhe transparenca, që konform dispozitave ligjore, të gjejë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme për RTK-në, si dhe të sigurojë që emërimet e anëtarëve të bordit të bëhen në bazë të kompetencës dhe profesionalizmit të kandidatëve e jo sipas preferencave politike. Në këtë rrafsh, ne përshëndesim hapin e parë të Kuvendit të Kosovës që të miratojë disa iniciativa që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e menaxhmentit dhe performancës së transmetuesit publik.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian mbështet dialogun social si dhe organizimin sindikal të punëtorëve në mënyrë që të sigurohet se respektohen të drejtat e të punësuarve. Kjo është pjesë e rëndësishme e dialogut tonë të rregullt me qeverinë e Kosovës në kuadër të Procesit të Dialogut të Stabilizim-Asociimit, ndërsa në Raportin e Progresit, përfshihet në kapitullin e të drejtave të njeriut.

Më lejoni që t’ju siguroj se do të reflektojmë mbi këto shqetësime në të dyja aspektet në Raportin e ardhshëm të Progresit që do të publikohet më 8 tetor. Gjithashtu kemi për qëllim që t’i ngremë këto çështje drejtpërsëdrejti me menaxhmentin e RTK-së si dhe me Bordin e RTK-së. Njëkohësisht ju inkurajojmë që aludimet serioze t’i përcillni edhe tek autoritetet përkatëse ligjore të Kosovës.

Ju lutem konsiderojeni këtë letër si përgjigje të përbashkët nga të gjitha adresat e Komisionit Evropian dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian në Bruksel”.

Samuel Zbogar