Të premten, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, vendosi t’ia shkruante një letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, me rastin e 15 shkurtit, ditës së shtetësisë së Serbisë. Kjo letër që mbërriti sot në Presidencën serbe, ndonëse kishte brenda urime të përzemërta të presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, përmbante edhe një fjali, e cila ia prishi ditën kreut të Serbisë.
Në një mënyrë aspak të zakontë në diplomaci, me anë të një letre urimi, që qe e para e tij si president, drejtuar Serbisë, Joe Biden i ka kërkuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Në letër, Biden i thotë Vuçiqit të përqëndrohet në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën, duke nënvizuar se ajo duhet të përmbajë njohjen reciproke.
“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjerash në letrën që Biden ia dërgoi presidentit serb.
Jo shumë vonë pas lajmit, Vuçiq doli i mllefosur para gazetarëve, duke folur për letrën. “Kam marrë urimet e Presidentit Biden, faleminderit për urimet”, ishte fjalia me të cilën Vuçiq nisi të fliste për këtë, e përmes së cilës vërehej se s’ishte aspak i kënaqur. Në fakt, ishte dhe dukej tepër i mllefosur.
“Për sa i përket njohjes reciproke, ajo nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore, as në BE, as në ndonjë rezolutë. Ka pasur përpjekje për ta imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar, si një zgjidhje përfundimtare, dhe unë tashmë u kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen reciproke”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur letrës së Joe Biden.
I vetëdijshëm se njerëzit prisnin që për këtë të fliste më shumë sesa për çdo gjë tjetër, edhe sesa për vizitën që ia bëri ushtrisë serbe, Vuçiq tha se është “i vogël për të qenë në gjendje të kundërshtojë të gjithë”, por tha se s’lejon “poshtërimin dhe shkatërrimin e popullit tim”. Ai theksoi se ideja e njohjes së ndërsjellë është “krejtësisht amerikane”, dhe tha se SHBA-ja do që ta poshtërojë Serbinë.
“Tani është e qartë se është një ide krejtësisht amerikane, se ata nuk dëshironin bisedime për dy Gjermanitë dhe zgjidhje të tjera, por është e qartë se ata duan poshtërim të plotë të Serbisë, dhe unë ua thashë gjithçka që mund të them në fytyrë në Shtëpinë e Bardhë për atë lloj poshtërimi. Ai nuk pret që të thuhet kjo, por unë do ta përsëris atë në çdo vend”, tha Vuçiq.
Urimi i pazakontë i presidentit të SHBA-së, Joseph Biden për Vuçiqin nuk mund të interpretohet si një urim edhe fort diplomatik, vlerësoi ish-diplomati serb, Vladislav Jovanoviq.
“Urimet diplomatike pothuajse kurrë nuk janë të ngarkuara me një detyrë të veçantë, më e vështira e mundshme në marrëdhëniet e ndërsjella midis Serbisë dhe Amerikës. Duke kërkuar që Serbia t’i përkushtohet vetes në periudhën e ardhshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në një mënyrë në kundërshtim me interesat kombëtare dhe shtetërore dhe Kushtetutën, është diçka që nuk është e zakonshme dhe nuk është mirë ta gjesh atë në ndonjë libër shkollor diplomatik si një shembull i një urimi për festat e një vendi”, u shpreh Jovanoviq.
Sipas tij, gjithçka që thuhet në kartolinë është një tregues i qartë se Biden nuk ka ndryshuar shumë që nga lëshimi nga “lëkura e tij të hershme”.
“Përkundrazi, kjo tregon se ai beson se presioni i drejtpërdrejtë dhe i fundit mbi Serbinë mund të arrijë qëllimin maksimal për Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët e Kosovës – njohjen e pavarësisë së Kosovës”, përfundoi ish-diplomati serb.
Në anën tjetër, në Kosovë pati gëzim. Ndër të parët që e shprehu këtë ishte kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Ai e falenderoi presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ndërsa tha se “Kur i ke miqtë e fortë… vera te dera”. “Ju kam paralajmëruar”, shtoi Hoti.