LDK kërkon anulimin e vendimit të ZRrE për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë

E publikuar: 21/05/2025 21:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt një takim i iniciuar nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe kompanisë KESCO, për të diskutuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

Megjithëse të ftuara në takim, ZRrE dhe Autoriteti i Konkurrencës nuk morën pjesë, çka u kritikua nga deputetja Hykmete Bajrami si shmangie nga përgjegjësia dhe mungesë e transparencës. Ajo e quajti këtë sjellje “servilizëm” dhe jo profesionalizëm, duke theksuar se këto institucione nuk mund të anashkalojnë Kuvendin, përkundër se kishin marrë pjesë në një takim me deputetë të LVV-së në ndërtesën e Qeverisë vetëm dy ditë më parë.

Në takim u ngritën shqetësime për ndikimet e vendimit në sektorin prodhues, ku sipas përfaqësuesve të bizneseve, ngritja e çmimit të energjisë rrezikon mbylljen e aktiviteteve për shumë kompani prodhuese dhe rritje të çmimeve për konsumatorët. U kërkua sqarim ligjor lidhur me interpretimin e Nenit 37, paragrafi 2 i Ligjit për Energjinë Elektrike, për të cilin u tha se po përdoret në mënyrë të gabuar për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal.

Takimi përfundoi me një kërkesë të qartë drejtuar ZRrE-së dhe institucioneve përgjegjëse që të anulojnë ose të shtyjnë për një vit zbatimin e vendimit, deri në krijimin e një tregu funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike, në përputhje me ligjin dhe interesin e ekonomisë së vendit.