Latifi për Gjykatën Speciale: Të mos lejojmë që UÇK-ja të hidhet në ankand e të tregtohet me të

E publikuar: 14/06/2021 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Rahovecit ka mbajtur të hënën seancë solemne me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit.

Ne këtë rast, kryetari i komunës, Smajl Latifi tha se vlera e lirisë është e paprekshme, teksa shtoi se po aq e paprekshme është edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Ai tha se UÇK-ja është faktori që bëri kthesën e madhe për të mbetur përgjithmonë në kujtesën e popullit, si forca që shkroi me gjak e trimëri historinë më të re të Kosovës, dhe si e tillë duhet të ruhet dhe të mos tregtohet me të.

“Vlera e lirisë është e paprekshme, po aq e paprekshme është edhe UÇK-ja. Ndaj saj kemi detyrim të sillemi me respekt në secilin rast edhe kur ato tentohen të njollosen dhe baltosen. Jemi dëshmitar kur provoi UNMIK-u, EULEX-i e tash Gjykata Speciale, por ne nuk duhet të lejojmë që ato të hidhen në ankand për tu tregtuar. E dimë ne që e përjetuam se kush bëri krime lufte e terror. Krimet dhe masakrat i bëri Serbia. Ajo meriton gjykim dhe ndëshkim, kriminelët e saj. Nuk duhet kurrë, sepse shumë shtrenjtë e kemi paguar çmimin e lirisë, andaj ta ruajmë përjetë këtë vlerë të përbashkët, e cila është e jona[…]ta lartësojmë veprën e dëshmorëve dhe luftën tonë çlirimtare, brigadën 124 dhe gjithë rrugëtimin tonë”, tha ai.

Duke folur për 14 qershorin, Ditën e Çlirimit të Komunës që e udhëheq, Latifi tha se data si kjo nuk do të harrohen kurrë dhe se brigada 124 lartësoi flamurin e luftës çlirimtare gjatë gjithë rrugëtimit.

“Rahoveci me rrethinë humbi luftën që bënë jetën si me le, duke i bërë nder atdheut shumë e shumë bashkëluftëtarë që fituan betejat, e plot nga ta morën plagë e janë invalidë të luftës, por i dha lirisë edhe shumë bashkëqytetarë të paarmatosur. Rahoveci me rrethinë përjetoi edhe tmerrin e 11 masakrave të tmerrshme në Rahovec, Krushë të Madhe, Celinë, Fortesë, Brestoc, Opterushë, Retijë, Pastasel, Brestoc, Hoçë të Vogël, Nagac, e mbi gjithë këto dhimbje e plagë të hapura, u ngrit e eci përpara, duke ruajtur me fanatizëm dhimbjen e madhe dhe krenarinë e ligjshme”, tha Latifi.

Kurse, kryesuesi i Kuvendit komunal të Rahovecit, Afrim Dina, tha se në një ditë si kjo është e rëndësishme të kujtohen individët dhe grupet e organizuara atdhetare, të cilët me vetëmohim të pashoq besuan në fitore.

“Sot e kemi obligim moral e atdhetar të kujtojmë e nderojmë të gjithë ata që në forma të ndryshme i qëndruan besnik atdheut. Shumë prej djemve e këtyre vajzave në fushë të nderit dhe u bënë vetë historia. Jetët e dhëna për lirinë kanë peshën e krejt historisë tonë, por kujtesa jonë historike duhet të rifreskohet, që të mos na përsëriten dhimbjet e humbjet e reja. Prandaj, ndërtimi i jetës së re me kujdes dhe me përkushtim është ndër detyrimet që i kemi ndaj të ardhmes”, tha ai.

Rahoveci me rrethinë përjetoi tmerrin e 11 masakrave të tmerrshme në Rahovec, Krushë të Madhe, Celinë, Fortesë, Brestoc, Opterushë, Retijë, Pastasel, Brestoc, Hoçë të Vogël, Nagac.