Drejtori e Policisë së Mitrovicës Nehat Thaçi, i arrestuar mbrëmë pas mesnatës në Serbi, pritet që sot të dalë para gjykatës në Nish, bëjnë me dije burime të Gazetës Express brenda Policisë së Kosovës.
“Ka shpresa të mëdha se do të lirohet drejtori i Policisë Rajonale në Mitrovicë. Po pritet sot vendimi i gjykatës”, ka thënë ky burim.
Ndërkohë Express ka kontaktuar edhe me koordinatorin Kombëtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës për luftën kundër trafikimit me njerëz, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq.
Radojeviq është shprehur i rezervuar në dhënien e informacioneve më të hollësishme për këtë çështje. Ai ka thënë se sot gjatë ditës do të jepen më shumë detaje. Ai thotë se zyra e ministrit të MPBJ’së është në bisedime me palën serbe loidhur me këtë çështje.
“Unë personalisht nuk jam duke biseduar, por zyra e ministrit ka konsulta me palën serbe. Gjatë ditës do të kemi më shumë informata”, ka thënë Radojeviq.
Ai ka shtuar se ende nuk kanë ndonjë deklaratë zyrtare se për çka është arrestuar Thaçi.
Drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë u arrestua mbrëmë rreth orës 20, në vendkalimin administrativ në Konçul, kur dha dokumentacionin për hyrje në territorin serb.