Lajçak: Vendimi i djeshëm i Kosovës, mi ndërroi të gjitha planet

E publikuar: 30/06/2022 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se është befasuar me vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës, për çështjen e targave të automjeteve dhe atë për hyrjen e shtetasve të Serbisë në Kosovë.

“Tani e kemi situatën e re e cila natyrisht ndodhi dje dhe e cila goxha shumë i ndërroi planet e mia dhe temat e bisedave të mia. Sepse unë erdha për vizitë që të përgatisim takimin mes liderëve dhe të flasim rreth përparimit në normalizimin e raporteve. Tani duhet ta zgjidhim këtë situatë dhe nuk guxojmë të vijmë te ndonjë krizë”, tha Lajçak në Beograd.

Sa për pretendimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se autoritetet e Kosovës po bëjnë gati një operacion policor në veri të vendit që do të ndodhë më 1 tetor, Lajçak tha se nuk i komenton deklarata e Vuçiq-it, veçse duhet të gjindet zgjidhje nëpërmjet dialogut.

Ndryshe ditën e djeshme Lajçak deklaroi se janë duke punuar për një takim në mes Kurtit dhe Vuçiq, para se pala e BE-së të shkojë në pushimet verore.

Por pas kësaj, Qeveria e Kosovës mbrëmë mori vendim për reciprocitet ndaj Serbisë, lidhur me letërnjoftimet dhe hyrjen në territorin e Kosovës.