Laçi dhe Flamurtari ndajnë nga një pikë

E publikuar: 22/10/2016 16:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një barazim që nuk kënaq askënd në Laç ku Flamurtari dhe skuadra kurbinase ndanë nga 1 pikë pas një 90 minutëshi ku vlonjatët meritonin më shumë. Largimi i përkohshëm i trajnerit Magani u duk vetëm fillimi i fundit të skuadrës vlonjate që në transfertën e Laçit regjistroi një barazim që i jep shpresë. 1-1 u mbyll ndeshja në Kurbin ku vlonjatët zhvilluan një ndeshje shumë pozitive por pësuan një gol të evitueshëm në minutat e fundit. Ishte Gentjan Mezani ai që drejtoi skuadrën vlonjate nga stoli dhe si për ironi, ekipi ndryshoi totalisht fytyrë krahasuar me ndeshjet e fundit. Ndeshja nisi me një ritëm të dobët ku Laçi tentoi të çante murin mbrojtës të miqve por pa arritur të krijonte raste të rrezikshme. Me kalimin e minutave, Flamurtari hodhi sytë nga sulmi dhe në rastin e parë të vërtetë të krijuar në minutën e 28, malazezi Radovanoviç tribloi me sukses Arbër Shalën dhe kaloi pa shumë vështirësi portierin kurbinas.

Goli i dha zemër skuadrës vlonjate dhe dëmtoi rëndë moralin e Laçit që humbi busullën e orientimit në fushën e lojës. Vlonjatët nuk lejuan që topi t’i afrohej portës së tyre duke kontrolluar mesfushën. Pak sekonda nga fundi i kësaj pjese ishte Alves që dha sinjalin e dytë me një goditje me kokë që përfundoi pak cm larg shtyllës së djathtë pingule të Selmanit. Pavarësisht dëshirës për të ndryshuar fytyrë, Laçi nuk mundi të bënte asgjë as në fillimin e fraksionit të dytë edhe pse në të 47-ën një krosim i Çelakës nga e majta u largua saktësisht nga Veliu. Flamurtari e nuhati momentin e vështirë të bardhezinjve dhe e rriti ritmin. Në minutën e 54 ishte Kuqi që tentoi të kalonte Selmanin i cili bllokoi tentativën e lojtarit kuqezi.

7 minuta më pas ishte sërish Selmani që i mohoi një gol pothuajse të sigurt brazilianit Alves. Ishte radha e Donjet Shkodrës që 13 minuta nga fundi të kalibronte të djathtën e tij por pa sukses. Pak sekonda më pas, Zeqiri tronditi tranversën me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës. Kur ndeshja dukej se kishte marrë një rrjedhë të pakthyeshme, Lulaj gjeti golin e barazimit në të parën goditje në portë të Laçit. Minutat deri në fund rodhën pa asnjë rast tjetër për t’u evidentuar. Flamurtari rrëmben fiton një pikë që e ngjit në kuotën 6, ndërsa Laçi e paraprin në vendin e 6 me 1 pikë më shumë.