Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër, të enjten më 19 nëntor, seancë plenare, me fillim në orën 11:00, ku në rend të ditës janë 12 pika, përfshirë shqyrtimin e parë të Projektbuxhetit për vitin 2027 dhe masat e Qeverisë për emergjencën e furnizimit me energji.
Sipas njoftimit të Kuvendit, deputetët fillimisht do të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalin nga seanca e mëparshme, do të kenë deklarime jashtë rendit të ditës dhe do të parashtrojnë pyetje parlamentare.
Në rend të ditës është edhe shqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës për furnizimin e energjisë, të datës 16 nëntor 2026.
Deputetët do të shqyrtojnë në lexim të parë Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, si dhe Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Në këtë seancë pritet të procedohen edhe nismat legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi, si dhe të bëhet emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Po ashtu, në rend të ditës është zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në fund, pritet të shqyrtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Seanca plenare do të mbahet në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës.
































