Kushtetuta, edhe pas 7 vjetësh, s’po respektohet

E publikuar: 08/04/2015 09:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aktorët që kanë marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe njohësit e çështjeve kushtetuese kanë thënë se për këto shtatë vjet akti më i lartë politik dhe juridik i shtetit të Kosovës nuk është respektuar nga institucionet kryesore të vendit.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ishte pjesë e hartimit të kësaj Kushtetute, ka paralajmëruar se Kushtetuta shumë shpejt pritet të shkelet edhe nga vetë organi që e ka miratuar. “E kisha fatin të isha pjesë e hartimit të saj edhe si anëtar i Grupit Politik Strategjik të Grupit të Unitetit. Kam qenë mjaft aktiv gjatë gjithë asaj periudhe. Kam pasur kërkesat e mia që nuk kanë shkuar, por e them me përgjegjësi: Kushtetuta jonë ishte një dokument i mirë, nëse kemi parasysh kohën kur është shkruar. Në pyetjen tuaj, se sa është respektuar Kushtetuta, më vjen keq që nuk mund të përgjigjem pozitivisht. Kushtetuta jonë është dokumenti më i lartë i shtetit, i cili më së paku është respektuar e po respektohet. Në ditët në vazhdim priten shkelje të reja dhe flagrante edhe nga institucioni që e ka miratuar?!”, ka thënë Krasniqi për “Epokën e re”.

Ai e ka fajësuar Gjykatën Kushtetuese që nuk po e mbron Kushtetutën, duke thënë se ky institucion po e rishkruan atë keq. “Se a i plotëson nevojat e shoqërisë sonë, nuk është lehtë të jepet një përgjigje adekuate. Problemi esencial është se Kushtetuta jonë jo vetëm që nuk po ndryshohet për t’i plotësuar nevojat e shoqërisë sonë, por ajo po ndryshohet, ndoshta më mirë të thuhet, po rishkruhet dhe po rishkruhet tepër keq. Kjo është pasojë se edhe institucionet që do të duhej ta mbronin atë, si Gjykata Kushtetuese, Presidentja, Qeveria dhe Sistemi i Drejtësisë, janë shkelësit më të mëdhenj të saj. Në një ambient të tillë, në gjendje akoma më të mjerë, është edhe sundimi i ligjit. Ekspertët e fushave juridike do të duhej ta ngitnin zërin, por ai zë nuk po dëgjohet?!”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërsa njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se përveç rëndësisë historike, ky akt juridik nuk i ka përmbushur nevojat e popullit të Kosovës. “Pavarësisht rëndësisë historike që ka ky akt kushtetues për Republikën e Kosovës, prej hyrjes në fuqi të këtij akti juridik deri më tani, fatkeqësisht nuk mund të thuhet se në plotësi i ka plotësuar të gjitha kërkesat e kohës. Kjo Kushtetutë gjatë kësaj periudhe kohe është përballur me shumë sfida nëpër të cilat ka kaluar vendi. Për më tepër, kjo Kushtetutë është shkelur tepër shpesh, për të mos thënë çdo ditë, jo vetëm nga qytetarët e pjesës veriore të vendit”, ka thënë Baraliu për “Epokën e re”.
Madje ai ka deklaruar se do të ishte mirë që kjo Kushtetutë të rishkruhej. “Mendoj se kjo Kushtetutë do të duhej të plotësohej dhe ndryshohej. Madje unë do të thosha se do të ishte mirë të rishkruhej një tekst i ri i Kushtetutës për të qenë më gjithëpërfshirëse dhe që u përballon sfidave të kohës nëpër të cilat po kalon Kosova si shtet dhe shoqëri”, ka deklaruar Baraliu. Sipas tij, ky akt juridik ka mangësi të shumta, duke filluar prej preambulës ku nuk përfshihet sakrifica shekullore e shqiptarëve të Kosovës. “Kushtetuta është produkt i një kompromisi dhe një koncesioni të papranueshëm atëherë dhe sot për Republikën e Kosovës dhe për shumicën dërmuese të popullsisë të këtij vendi që ngërthen në vete planin e Ahtisarit, një plan i cili krijon një asimetri në sundimin e ligjit dhe në organizmin e shtetit, sidomos në organizimin e qeverisjes lokale”, ka deklaruar Baraliu.
Dita e Kushtetutës së Kosovës në kalendarin e festave zyrtare shënohet më 9 prill, por këtë herë institucionet e vendit e kanë shënuar një ditë më herët.