
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij Imamin e Qabesë, Bandar Baleela, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Siç ka bërë të ditur kryeministria, bashkë nikoqiri e mysafiri diskutuan rreth marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.
“Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e Arabisë Saudite dhe popullit të Arabisë Saudite ndaj Kosovës në periudhat më të vështira të saj dhe theksoi përkushtim për të afruar më shumë popujt përmes bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, ekonomisë dhe kulturës”, thuhet në njoftim.
Qeveria thotë se vitin e kaluar, në frymën e lehtësimit të këtij shkëmbimi dhe afrimit të mëtejshëm, u nënshkrua marrëveshja për fluturime direkte mes Kosovës dhe Arabisë Saudite, që reflekton nivelin në rritje të bashkëpunimit mes vendeve.
“Gjatë viteve të fundit, mijëra qytetarë nga të dy vendet kanë vizituar njëri-tjetrin për arsye të ndryshme, qoftë për qëllime turizmi, biznesi apo fetare”, thotë njoftimin nga ekzekutivi i shtetit për takimin që kreu i këtij institucioni e zhvilloi me Imamin e Qabesë.