Kurti pritet nga ambasadorë e KiE-së, u kërkon mbështetje për anëtarësim

E publikuar: 15/03/2023 23:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në ditën e parë të vizitës në Strasburg, është pritur nga mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare në Këshillin e Evropës.

Kurti ka folur mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim, teksa u kërkoi ambasadorëve vazhdimin e mbështetjes për të avancuar tutje në këtë proces deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Republika e Kosovës ndan të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, të cilat janë të mishëruara edhe në Kushtetutën e Republikës”, tha Kurti.

Kurti, mes tjerash, foli edhe për progresin dhe zhvillimin e Kosovës në demokratizimin e vendit, rritjen ekonomike, sundim të ligjit e drejtësi.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik, tregues të së cilës janë indekset dhe rankimet ndërkombëtare që faktojnë se Kosova është një histori suksesi e demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik” u shpreh Kurti.