Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe sot i është shmangur insistimit të gazetarëve lidhur me ftesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për të dëshmuar për rastin e rezervave shtetërore.
Pas pjesëmarrjes së tij në konferencën e Agjencisë së Statistikave, ku u shpallën rezultatet e para përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë, megjithëse është pyetur nga gazetarët, Kurti ka refuzuar sërish që të përgjigjet nëse ka marrë ftesë të re nga Prokuroria.
Që nga kthimi i tij nga Sllovenia, Kurti çdo herë është larguar me shpejtësi nga mediat, duke refuzuar kështu për të disatën të deklarohet se kur do të paraqitet para Prokurorisë.
Kryeministri, as dje kur ka marrë pjesë në lansimin e ankandit të parë të erës prej 100 MW në Kosovë, nuk ka pranuar që të flasë nëse ka pranuar ftesën e re nga Prokuroria Speciale e Kosovës për të dhënë dëshminë e tij.
Ai është arsyetuar se nuk mund të flasë pasi që është duke shkuar në mbledhjen e qeverisë./EO