Kryeministri Albin Kurti e pranoi që në vizitën e dytë në Kosovë gjatë janarit pesë diplomatët e lartë europianë e amerikanë kishin ardhur me gjuhë të prerë për pranimin e planit franko-gjerman në stilin ‘merre-ose-leje’. Duke folur për fazën e mëhershme të bisedimeve e kishte thënë pikërisht të kundërtën se nuk ka pasur ultimatum nga emisarët.
“Unë i kam dërguar edhe komentet e mia, meqenëse asnjëherë nuk më është thënë që ky është një propozim – merre ose lëre. Pra, nuk ka pasur një ultimatum të tillë asnjëherë”, kishte thënë Kurti për REL.
Megjithatë, pas prezantimit të gjashtë-kushteve për Asociacionin dhe pas deklarimit se e pranon planin e BE-së, kryeministri Kurti vendosi që t’u rrëfehet deputetëve në foltoren e Kuvendit.
Ai tregoi se në takimin e 20 janarit ishte paralajmëruar ta konsideronte seriozisht planin dhe se mospranimi i tij do të ndikonte seriozisht në raportet diplomatike e politike të Republikës së Kosovës me shtetet sponsorizuese.
“Ata ma bënë të qartë që Propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit ‘merre-ose-leje’. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij”, tha Kurti në Kuvend të hënën.
Kurti tha se qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse “do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta”.
Kurti, që dikur fliste me kureshtje për atë se si duket trysnia ndërkombëtare, tregoi që ishte paralajmëruar për pasoja në rast të kokëfortësisë në mospranimin e planit.
“Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i Propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatikë për Kosovën dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”.
Pasi ia kishin dorëzuar për herë të parë planin, Kurti më pas kishte dërguar edhe komentet e tij për pozicionin e Kosovës. Por, plani i përditësuar dhe përfundimtar s’kishte lëvizur. U plotësua me theks te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pa hapësirën për negocim. Kurti dje foli për Planin e Zbatimit që do të negociohet edhe më tej dhe do të përfshijë edhe Asociacionin.
“Lehtësuesi i dialogut Lajcak, ofroi një version të dytë të Propozimit më 6 dhjetor 2022. Versioni i dytë i ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur mbrapa në asnjë nga parimet që i ngërthente dokumenti i parë. Megjithatë, dokumenti kryesor kësaj radhe shoqërohej edhe me një Plan Zbatimi që kishte referencë të qartë tek një statut që do ta hartonte Ekipi Menaxhues, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013, e që është një tregues i një hapi drejt krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe”.
Sidoqoftë, Kurti thotë se komentet e tij i kanë ndërmjetësit në formë të shkruar, derisa deputetëve u ka sqaruar edhe pozicionin që ka mbajtur në takimin e 20 janarit.
“Qëndrimi im në atë takim ishte që Propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm, por duhet përfshirë më shumë elementë garantues dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shtimit të numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve në formë të tillë që të ketë kuptim normalizimi ndërmjet dy shteteve”.
Drekën e punës që e pati me emisarin europian, Kurti tha se e shfrytëzoi për qartësim të disa prej mekanizmave të planit dhe “elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të Planit të Zbatimit”.
“Unë ia konfirmova që Propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i Planit të Zbatimit i cili do të duhej të përfshijë elementë që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në Propozimin kryesor”, sqaroi më tej Kurti mbi atë se çka ka pranuar kur drekoi me Lajçakun.
Krejt në fund të fjalimit, ai tha se mbi këtë bazë ka ardhur në tri përfundime.
“E para, pranimi i Propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto; E dyta, plani kryesor nuk ka asnjë referencë te një Asociacioni, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre; E treta, tash, hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të Planit të Zbatimit. Aty, qëndrimi im është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet 6-pikëshi apo 6 kushtet, parimet që i kam paraqitur para jush këtu një javë më parë”.