Albin Kurti
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, këtë të mërkurë do të pranojë Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për këtë vit.
Raportin do ta pranojë nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në objektin e Qeverisë.
Në një draft të raportit të siguruar nga Klan Kosova gjatë ditës së djeshme përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.
Në një draft të këtij raportit vlerësohet fakti që ka pasur një stabilitet politik në Kosovë falë shumicës që kishte siguruar Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021, por që ka kritika për Kuvendit e Kosovës për ngecje në miratimin e legjislacionit, në të shumtën e rasteve për shkak të mungesës së kuorumit, pjesërisht edhe për shkak të bojkotit nga ana e opozitës.
“Në Kosovë, qeveria e zgjedhur në vitin 2021, ka gëzuar një stabilitet politik dhe institucional falë shumicës solide. Kjo do të ishte dashur t’i ketë dhënë Kosovës mundësinë për të përshpejtuar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe intensifikimin e aktiviteteve legjislative, përfshirë edhe ato të lodhur ame reformat drejt BE-së. Megjithatë, mungesa e shpeshtë e kuorumit në Kuvend, si dhe bojkoti i partive opozitare ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve kyç” thuhet në raport.
“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.Ky draft flet edhe për funksionimin e gjyqësorit, i cili vlerësohet si “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme”.
“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.Mes kritikash e vlerësimesh, Kosovës i sugjerohet që reformat në gjyqësor, t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.