Sot është mbajtur ceremonia e hapjes së Edicionit të Dytë të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”(UF), i cili ka sjellë në Kosovë pjesëmarrës nga 30 shtete të botës, siç thuhet në njoftimin MPJD-së, duke shërbyer kështu si një platformë diskutimi dhe bashkëpunimi për liderë globalë, vendimmarrës dhe komunitete të diasporës, për të eksploruar dhe shfrytëzuar fuqinë transformuese të angazhimit dhe diplomacisë së diasporës.
Në komunikatën e MPJD-së thuhet se në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se diaspora e Kosovës gjatë viteve është bërë shtyllë e vendit dhe ekonomisë tonë.
Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha para të pranishmëve se duke qenë vetë pjesë e diasporës së Kosovës e kupton shumë drejt sa e rëndësishme është që i gjithë vendi të vazhdojë të dërgojë sinjale të marrëdhënieve të vërteta me diasporën e tij.
“Para të pranishmëve foli edhe profesori nga Australia, Alan Gamlen, duke uruar Kosovën për organizimin si dhe rëndësinë që i ka dhënë diasporës. Pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të Forumit Ulpiana ishin edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, zëvendësministrja për Punë të Jashtme dhe Evropë nga Shqipëria, Silda Anagnosti, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë, ministra, zëvendësministra e deputetë të Kuvendit.”
“Përmes një programi dinamik të sesioneve, punëtorive interaktive dhe diskutimeve frymëzuese, që do të zhvillohen në tre ditët e ardhshme, Forumi Ulpiana synon të arrijë rezultate të zbatueshme. Në qendër të misionit të tij është shfrytëzimi strategjik i kapitalit të diasporës—duke përfshirë burimet kulturore, ekonomike, njerëzore dhe sociale—për të adresuar disa nga sfidat më urgjente globale, si ndryshimet klimatike, pabarazitë në shëndetësi dhe paqëndrueshmëria ekonomike.” – thuhet tutje në njoftimin e MPJD-së.