Kurti, bashkëpartiakëve: Mbështetjen masive që po e gëzon Qeveria do të tentojnë ta minimizojnë me fushata shpifëse

E publikuar: 05/10/2024 11:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin kurti

Albin kurti

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes iu drejtua bashkëpartiakëve që të jenë “të vëmendshëm” se do të ketë fushata shpifëse për ta minimizuar “mbështetjen masive” që po gëzon Qeveria e tij.

“Ne duhet të jemi po ashtu të vëmendshëm që këtë mbështetje masive që po e gëzon Qeveria e Kosovës nga qytetarët – dhe do të thotë pashmangshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje si drejtuese e saj – do të tentojnë sikurse janë duke tentuar që ta zbehin e minimizojnë përmes formave nga më të ndryshmet e më së shumti e më së shpeshti përmes fushatave të shpifjeve dhe të pavërtetave dhe të nxitjeve dashakeqe”.

Megjithatë, thotë Kurti, qytetarët “po i besojnë drejt situatave”.

“Pavarësisht këtyre përpjekjeve për të shtrembëruar të vërtetat dhe për ta zbehur punën e Qeverisë, të cilat janë të shumta në numër e të gjera për nga ndikimi në popull, qytetarët megjithëkëto po i besojnë drejt situatave sepse populli po i përjeton në përditshmëri ndryshimet e gjithëmbarshme, pozitive e progresiste që po shënon Republika jonë. Këtyre tendencave e përpjekjeve për manipulim ne i kundërpërgjigjemi më së miri me punë e me angazhim dhe i ballafaqojmë më së miri me mobilizim dhe aktivizim”, tha Kurti.