Kthehet në punë zv/drejtori i burgut të Gjilanit, Fidan Hasani

E publikuar: 10/10/2023 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rikthehet në vendin e punës zëvendësdrejtori i Burgut të Gjilanit, Fidan Hasani.

“Zëvendësdrejtori në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, Fidan Hasani ishte larguar përfundimisht nga kjo detyrë, përveç kësaj Hasanit i është shqiptuar masa disiplinore ‘LARGIM NGA SHËRBIMI CIVIL’.”
Kështu u raportua nga mediat në muajin mars të këtij viti, rreth largimit nga puna të zv/drejtorit të qendrës Fidan Hasani me vendim të Komisionit Disiplor të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me arsyetimin se i njejti ka bërë lëshime në aspektin procedural të punës në Qendrën e paraburgimit në Gjilan.

Por nga burimet e infosot.com bëhet e ditur se vendimi i marrë në mars të këtij viti është pezulluar, pasi që u aprovua ankesa e parashtruar nga përfaqësuesi mbrojtës i palës së dëmtuar, avokati Jeton Lakna.

Pas aprovimit të ankesës nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës zv/drejtori Fidan Hasani u rikthye në punë në pozitën e mëparshme.

Ankesa e aprovuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me datë 8 shtator të këtij viti, detyron drejtorin e përgjithshëm të shërbimit korrektues ta zbatojë vendimin në afat prej 15 ditësh dhe ankuesi të kthehet në vendin e punës, në pozitën e paracaktuar.

Pala mbrojtëse thekson se Komisioni Disiplinor nuk i ka marrë për bazë deklarimet dhe provat nga ankuesi dhe kështu kanë bërë shkelje procedurale të parcaktuara me Rregulloren për Disiplinën dhe Ankesat për Zyrtarët Publikë

Pra nga vendimi i Komisionit, përpos kthimit në vendin e punës, institucioni punëdhënës obligohet t’ia kompensojë pagën që nga momenti i humbjes së punës deri në datën kur edhe është marrë vendimi për kthim në detyrë të zv/drejtorit Hasani.