Kryeziu: Premtimi i Gërvallës është ripërsëritje e premtimit të Kurtit, të shohim a do pranohet për herën e tretë

E publikuar: 16/05/2024 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se të njëjtën gjë që e ka bërë kryediplomatja, Donika Gërvalla për Asociacionit, ngjashëm e kishte bërë edhe kryeministri, Albin Kurti në Ohër.

Kryeziu ka thënë se Kurti kishte ofruar gatishmërinë për të shkruar një draft-statut për Asociacionin.

“Premtimi i zëvendëskryeministres Donika Gërvalla-Schwarz në letrën dërguar Byrosë së Këshillit të Evropës është ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë me 18 mars 2023 në Ohër, e me 2 maj 2023 në Bruksel, kur ka ofruar gatishmërinë për të shkruar një draft-statut për Asociacionin bazuar në nenin 7 ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023).” – ka shkruar ai.

Më tej, ai ka përmendur oferat që i kishte bërë Kurti të cilat sipas tij, janë refuzuar, teksa ka thënë se po presin nëse do të pranohet kjo e fundit.

“Oferta e parë e kryeministrit Kurti ishte me tri shtylla që duhej të dakordoheshin paraprakisht (I. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga 23 dhjetori 2015; II. qëndrimi evropian i znj. Federica Mogherini më 24 gusht 2015; dhe, III. qëndrimi amerikan i zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 30 janar 2023). Oferta e dytë ishte e frymëzuar nga modeli kroat e i cili është gjithashtu në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Të dy këto oferta të kryeministrit Kurti janë refuzuar. Të shohim a do pranohet për herën e tretë.”

“Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon tash, një vit pas, një oferte të tillë ne jemi të gatshëm ta zbatojmë në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga Qeveria jonë.” – ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, Gërvalla është zotuar se Kosova do të përgatit një draft të Asociacionit dhe do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese jo më larg se fundi i muajit maj.

Ky statut do të bazohet në atë që e kishte përgatitur instituti gjerman – FES.