Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, i ka reaguar deklaratave të Kurtit për ftesën ndaj tij, lidhur me rezervat shtetërore.
Hajdaraj ka thënë se nuk i komentojnë deklaratat politike, por shtoi se para ligjit të gjithë janë të barabartë.
“Sa i përket deklaratave të kryeministrit nuk i komentojmë deklaratat politike. Mund të them se kemi reaguar shpesh nga sulmet që janë bërë me deklarata politike, nuk kam çka të shtoj, jeni të njoftuar se sot kryeprokurori Isufaj ka konferencë për shtyp. Ai do të përgjigjet më në detaje, mirëpo edhe mund të shtoj, se KPK i jep mbështetjen e plot Prokurorisë Speciale në zbatimin e mandatit të plotë kushtetutës, të gjithë janë të barabartë para ligjit”, tha Hajdaraj, raporton Nacionale.
Deklaratat e Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përdorur gjuhë brutale kundër sistemit prokurorial dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Në KTV, Kurti ka thënë se ata kanë dorëzuar me qindra raste, por prokurorët po veprojnë si “kërmijtë”. Kurse, kur po ka raste kundër qeverisë, prokurorët po bëhen “lepuj”.
“Herën e dytë kur u bëra kryeministër, ministritë tona kanë filluar që të punojnë nëpër administratat e tyre dhe të mbledhin materiale për trashëgiminë që kanë gjetur aty sepse i pengonte që të ecin përpara dhe me këtë rast i kanë bërë gjithsej 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim në prokurori, sot e kësaj dite nuk kemi veprim të prokurorive. 11 ministri i kanë dorëzuar gjithsej 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim, ku në 70 për qind të tyre bëhet fjalë gjithsej për 85 milionë euro, ndërkaq për 40 për qind të tyre koha e pritjes është diku 260 vjet. Me këtë rast, ajo çfarë unë mund të konstatoj është që kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë. Nuk ka aktakuza, nuk ka epilog”, ka thënë Kurti të dielën.
Kurti deklaroi se Prokuroria e ka bërë me qëllim ftesën e tij për rastin e reservës shtetërore. Megjithatë, ai i sfidoi publikisht prokurorët nëse kanë guxim të shkojnë në qeveri për ta intervistuar.
“…Aty nuk duhet si dëshmitar, Ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së. Prokurorët ua kanë mësyrë krejt ministrave tanë. Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s’kam privatisht asgjë”, ka shtuar Kurti.
Kurti përdori gjuhë të ashpër ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Vështirësitë i kemi me kryeprokurorin e Shtetit që në krye është Blerim Isufaj. Fiks para një viti ai doli publikisht e na tha se është hequr urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit, tre muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku. Në krye të KPK-së kemi një kësi lloj njeriu. Prokuroria s’është pjesë e zgjidhjes, është pjesë e problemit. Kupola e saj. Krejt këta prokurorë kanë të drejtë të bëhen kryeprokurorë, por po na thonë o Blerim Isufaj o askush tjetër. Për drejtësinë, nëse bëhet kryeprokuror Blerim Isufaj, largqoftë, ose dikush si ai, atëherë s’ka shpresë për drejtësinë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se po ta dinte se ishte kështu çështja me KPK-në, “do të garoja të isha kryeprokuror, e jo kryeministër”.
“S’mundet kryeministri t’i shtijë hajnat në burg, duhet të ndërrojë sistemi i drejtësisë…Mandatin tjetër i kemi shanset më të mira pasi kur të kemi vulat e 9 shkurtit çka kemi bërë në 4 vjet, e kur të bëhen ndryshimet në Kushtetuese, mund të ecim më shpejtë e më mirë. Të reformohet KPK-ja”, është shprehur Kurti.
Sot do të ketë një konferencë për media nga kryeprokurori Isufaj.