Kritikat e Haxhiut për Kushtetuesen/ Miftaraj: Jo të qëndrueshme – pushtetarët s’duhet të komentojnë vendimet gjyqësore

E publikuar: 03/07/2024 23:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese duke e cilësuar si opozitë të Qeverisë dhe po ashtu se ajo ua ka ndaluar reformën në drejtësi.

Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se politikanët s’duhet të komentojnë vendimet gjyqësore të gjykatave dhe as të Kushtetueses.

“Në bazë të parimeve që përcakton Kushtetuta e Kosovës lidhur me ndarjen e pushteteve, politikanët në pushtet nuk duhet të komentojnë vendimet gjyqësore si të gjykatave të rregullta dhe as të Gjykatës Kushtetuese. Çdo veprim që del jashtë kësaj kornizë është cenim i Kushtetutës dhe vlerave që ajo përcakton për qytetarët e Republikës”, thotë ai.

Sipas Miftarajt, nëse prokurorët ose gjyqtarët do të kërkonin takime me ministren, s’do të pritej që ajo t’i informonte ata, duke shtuar se nëse ka ndodhur kjo dhe ministrja s’ka raportuar për sjellje të papërshtatshme të gjyqtarëve, duhet të tregojë pse s’e ka bërë.

“Sikurse, në rast se prokurorët apo gjyqtarët do të kërkonin takime me ministren apo do të bënin ndonjë sjellje të papërshtatshme, më e pakta që do të pritej nga një ministre e drejtësisë do të ishte që të informonte këshillin gjyqësor apo prokurorial. Nëse kjo ka ndodhur dhe ministrja nuk i ka raportuar këto sjellje të papërshtatshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ministrja do të duhej të informonte publikun se pse nuk e ka bërë një gjë të tillë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Ai shton se konstatimet e ministres s’janë të qëndrueshme pasi përpos Kushtetueses që ka konstatuar se janë kundër Kushtetutës shumë ligje, edhe Komisioni i Venecias ka dhënë opinione se ato ligje cenojnë vlerat që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Sikurse, është fakt se jo vetëm Gjykata Kushtetuese është duke konstatuar se qeveria e Kosovës dhe Kuvendi janë duke miratuar ligje dhe marrë vendime kundërkushtetuese, është vet Komisioni i Venecias i cili për të njëjtat ligje kishte dhënë opinione ligje që cenojnë vlerat që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, andaj konstatimet e tilla të ministres janë jo të qëndrueshme dhe me shumë postulate politike për një audiencë të ngushtë që lidhet me partinë në pushtet”, deklaron Ehat Miftaraj.