Krasniqi: Lakmia për t’u dukur “kooperativë” me vuçiqët, të çon në tradhti kombëtare

E publikuar: 30/06/2018 11:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës dhe themelues i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se jo për gjithkënd është politika dhe çështjet e mëdha të raporteve ndërshtetërore siç janë tash këto mes Kosovës e Serbisë, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, këto gjëra duhet të bëhen me takt, sepse padituria mund të çojë edhe në tradhti kombëtare.

“Padija, pavendosmëria dhe lakmia për t’u dukur ‘kooperativë’, edhe me vuçiqet apo këdo tjetër të çon pashmangshëm në tradhti kombëtare!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Në statusin e tij në rrjetin social, Krasniqi nuk përmend emra, porse dihet se tani takimet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe procesin e dialogut, po e udhëheq, Hashim Thaçi.

“Kushdo që nuk është i përgatitur për t’i mbrojtur fortë interesat e popullit e të shtetit të Kosovës, le të merret me bujqësi e blegtori a cilëndo punë tjetër se politika është e pa përballueshme për atë lloj të njerëzve, qofshin ata/ato gra apo burra”, vazhdon shkrimi i Krasniqit.