Kryesuesi i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Habib Basholli, ka raportuar para deputetëve në Komisionin për Buxhet lidhur me menaxhimin financiar dhe realizimin e buxhetit të këtij institucioni për vitin 2025.
Gjatë prezantimit të raportit, Basholli ka thënë se vëmendje e veçantë i është kushtuar disiplinës buxhetore, transparencës financiare dhe orientimit të shpenzimeve drejt nevojave prioritare të institucionit.
Ai ka theksuar se përgjegjësia e institucionit nuk kufizohet vetëm në realizimin financiar të buxhetit, por përfshin edhe mbikëqyrjen e sektorit minerar, parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe mbrojtjen e interesit publik.
“Të nderuar deputetë, menaxhimi i financave të një institucioni publik nuk mund të vlerësohet vetëm përmes përqindjes së realizimit të buxhetit, por edhe përmes rezultateve konkrete të arritura në përmbushjen e mandatit ligjor. Në këtë drejtim, gjatë vitit 2025, vëmendje e veçantë i është kushtuar disiplinës buxhetore, transparencës financiare dhe orientimit të shpenzimeve drejt nevojave prioritare të institucionit. Buxheti i miratuar, realizimi i tij sipas kategorive ekonomike, si dhe të hyrat e administruara nga aktivitetet minerale, janë paraqitur në mënyrë të detajuar në raportin që keni në shqyrtim. Më lejoni të theksoj se sektori minerar ka rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe se funksionimi efikas i këtij sektor ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e këtij sektori. Një nga prioritetet tona mbetet forcimi i mekanizmave të kontrollit, parandalimi i aktiviteteve të paligjshme minerale dhe rritja e përgjegjësisë së operatorëve të licencuar. Po ashtu, rëndësi e veçantë i është kushtuar ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknike të institucionit me qëllim që mbikëqyrja e sektorit minerar të jetë sa më efikase”, ka deklaruar Basholli.
Sa i përket buxhetit, ai ka bërë të ditur se KPMM-ja gjatë vitit 2025 ka pasur buxhet fillestar prej 1,566,882 eurosh, ndërsa pas ndryshimeve dhe rishpërndarjeve buxhetore, buxheti përfundimtar ka arritur në 1 milionë e 589 mijë euro.
Sipas tij, ndryshimet buxhetore kanë ardhur kryesisht si rezultat i vendimeve të Qeverisë, veçanërisht për shkak të rritjes së pagave, ndërsa institucionit i janë ndarë edhe 26,890.09 euro mjete shtesë.
“Sa i përket buxhetit të KPMM-së për vitin 2020/25 ka pasur buxhet fillesar prej 1 milion 566 mijë e 882 euro. Ndërsa pas ndryshimeve dhe rishpërndarjeve buxhetetore, buxheti përfundimar ka arritur në 1 milion e 589 mijë e 157.54 euro. Ndryshimet buxhetore kanë ardhur kryesisht si rezultat i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në veçanti për shkak të rritjes së koeficientit të pagave. KPMM i janë ndarë mjete shtesë prej 26 mijë e 819.09 euro. Gjithashtu në fund të vitit janë realizuar reduktime buxhetore në kategori paga dhe mëditje dhe mallra e shërbime. Sa i përket realizmit të buxhetit, nga buxheti përfundimtar KPMM ka shpenzuar gjithsej 1 milion e 391 mijë e 488.26 euro, apo në për qindje 87.56 për qind të buxhetit të përgjithshëm. Mbetja e buxhetore është 197 mijë e 669.28 euro. Në kategori paga dhe mëditje është realizuar qind për qind. Buxheti në vlerën prej 889.213.39 euro duke përmbushur obligimet ndaj punonjëseve. Në kategorinë mallra dhe shpenzime janë shpenzuar 347 mijë e 735.16 euro. Në kategori komunalie janë shpenzuar 20 mijë e 361.40 euro. Realizimi i projekteve kapitale nga 292 mijë euro të planifikuara janë shpenzuar 134 mijë e 178.31 euro. Ndërsa disa projekte të tjera nuk janë realizuar financiarisht gjatë viti 2025 dhe mbetet e nevojshme të paraqiten arsyejet konkrete për këtë mosrealizim. Sa i përket të hyrave të KPMM-së dhe planifikim janë 28 mijë 850 mijë euro, ndërsa inkasimi i realizuar ka arritur 26 milion e 346 mijë e 217.99 euro. Taksa administative janë 448 mijë e 822.76 euro dhe gjoba administrative janë 327 mije e 696.96 euro. KPMM ka menaxhuar buxhetin në masën 87. 56 për qind, dhe ka realizuar 91.32 për qind të planifikimeve”, tha ai.
Basholli ka thënë se bordi do të vazhdojë të angazhohet për transparencë dhe llogaridhënie në menaxhimin e sektorit minerar.
“Të nderuar anëtarë të komisionit, si kryesues i bordit konsideroj se përgjegjësia jonë nuk përfundon me realizimin financiar të buxhetit. Ajo përfshin edhe mbikëqyrjen e përdorimit të drejtë të mjeteve publike, identifikimin e mangësive dhe ndërmarrjen e masave për përmirësimin e vazhdueshëm të performancës institucionale. Ju siguroj se bordi do të vazhdojë të ndjekë me përkushtim ndershmërinë, transparencën, llogaridhënien dhe mbrojtjen e interesit publik në këtë sektor”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka kërkuar sqarime nga zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me raportin e auditorit.
“Së pari kisha me pyet zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ne kemi një raport të cilën na ka ardhur si komision, dhe kisha me pyet për edhe në trajtim këto zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, ka thënë Kërçeli.
Haradin Gërvalla, kryesues i Departamentit të Financave në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ka dhënë sqarime lidhur me gjetjet e auditorit për konfiskimin e garancioneve bankare, regjistrimin e pasurive dhe zhvlerësimin e tyre.
Gërvalla ka thënë se KPMM-ja ka konfiskuar garancionet e ndërmarrjeve që nuk i kanë përmbushur kushtet e përcaktuara në projektet e shfrytëzimit, ndërsa deri më tani janë inkasuar rreth 450 mijë euro.
Ai ka theksuar se nuk pajtohet me trajtimin e këtyre mjeteve si të hyra, pasi sipas tij, ato duhet të trajtohen si depozita.
“Tek çështja e konfiskimit të garancioneve komisioni i pavarur çdo kompani që licenson është i obliguar me bë garancion bankar dhe policat e sigurimit. Në këtë rast ne kemi bërë konfiskim të garancioneve për ato ndërmarrje që nuk i kanë plotësuar kushtet sipas projektit të shfrytëzimit, dhe kemi shkuar me konfiskim të mjeteve. Deri më sot i kemi rreth 450 mijë euro të inkasuara. Në raportin e vitit të kaluar auditori e ka gjetur si trajtim i gabuar i të hyrave. Kemi pas disa diskutime edhe me ZKA-në dhe me Ministrinë e Financave, gjegjësisht thesarin, unë sërish nuk pajtohem t’i trajtoj si të hyra, sepse, këto janë të hyra, si lloj depozite”, ka deklaruar Gërvalla.
Sa i përket regjistrimit të pasurive, ai ka sqaruar se gjatë blerjes së dy automjeteve është bërë një gabim teknik nga zyrtari përgjegjës, i cili në vend të vlerës së kontratës kishte regjistruar vlerën e pagesës.
Gërvalla ka thënë se ky gabim tashmë është korrigjuar në sistemin e regjistrimit të pasurive.
Ndërkaq, lidhur me gjetjet për zhvlerësimin e pasurisë, ai ka thënë se problemet nuk lidhen vetëm me KPMM-në, por edhe me sistemin e Thesarit të Ministrisë së Financave, me të cilin, sipas tij, po përballen edhe organizatat e tjera buxhetore.
“Tek regjistrimi i pasurive i kemi blerë 2 vetura dhe zyrtari i regjistrimit teknikisht ka bërë një gabim, nuk e ka marrë vlerën e kontratës, por vlerën e pagesës e ka regjistruar, këto janë të rregulluara në sistem të e pasurisë. Dhe tek zhvlerësimi nuk është vetëm komisioni, por, ministria e Financave, thesari po ka shumë problem me sistemin që e ka aktual. Dhe gjitha organizatat buxhetore po kanë telashe në zhvlerësimin e pasurisë. Ajo nuk varet prej KPMM-së, por, prej Mnistrisë Financave, gjegjësisht, Thesarit”, ka thënë ai./EO
































