Kosovarët duhet të presin disponimin e BE-së për liberalizim të vizave

E publikuar: 17/04/2015 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane janë të bindur që në muajin qershor do të jenë në gjendje t’ia dërgojnë raportin Komisionit Evropian për liberalizim të vizave. Por, njohës të integrimit evropian thonë se pavarësisht kësaj, do të nevojiten minimumi dy vjet deri në liberalizimin e vizave.
Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi në një prononcim për Telegrafin foli për raportet e fundit nga institucionet përgjegjëse në përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.

“Raportet e fundit nga institucione përgjegjëse tregojnë se jemi në fazën përmbyllëse të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Po ashtu ka një mobilizim të shtuar të të gjitha institucioneve dhe ne jemi të bindur që në muajin qershor do të jemi në gjendje ta dërgojmë raportin përkatës Komisionit Evropian”, tha Ilazi.

Sipas tij, shumica prej nëntë ligjeve janë votuar në Qeveri, por pritet që shumë shpejt të procedohen edhe ligjet tjera.

“Shumica prej nëntë ligjeve janë votuar në Qeveri, si Ligji për Avokatin e Popullit, Ligji për Barazi Gjinore, Ligji kundër diskriminimit, si dhe së fundi është votuar edhe Ligji për Përgjime të Telekomunikimeve i cili ishte pjesë e përgjegjësisë së Ministrisë së Integrimit. Shumë shpejt Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit si dhe katër ligje të fushës së Gjyqësorit do të procedohen në Qeveri dhe do të kompletojë përmbushjen e obligimeve legjislative nga udhërrëfyesi. Sa i përket kushteve teknike nuk ka një numër të madh të tyre, por disa prej sfidave kryesore të mbetura përfshijnë: finalizimi i procedurave të prokurimit për certifikata të reja; demarkimi i kufirit me Malin e Zi, miratimi i Rregullores për Sistemin Informativ për Evidencë Penale dhe futja në funksion e këtij sistemi, miratimi i Rregullores për Menaxhim të Programit të Riintegrimit, etj”.

Ndërkaq si hap i fundit në kuadër të dialogut për liberalizim të vizave Ilazi tha se:” Komisioni Evropian pret nga ne që t’u dërgojmë një raport mbi përmbushjen e rekomandimeve të fundit që ata na i kanë dhënë verës së vitit të kaluar. Është në interesin tonë që këtë raport ta dërgojmë vetëm atëherë kur ne jemi plotësisht të sigurt që i kemi bërë gjërat e nevojshme”, shtoi ai.

Ndërsa, analisti Shpend Kursani tha se Qeveria e Kosovës mund t’i përmbush të gjitha kriteret edhe ato subjektivisht të themi, mirëpo është Bashkimi Evropian që politikisht mund të vendos se a janë përmbushur kriteret apo jo në bazë të interesave të saj.

I pyetur se çmendon në lidhje me deklaratën e ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku para disa ditëve në lidhje me optimizmin për liberalizimin e vizave, Kursani nuk sheh sinqeritet në këtë pjesë, sepse sipas tij, zyrtarët e BE-së e bëjnë një vlerësim të tillë.

“Po në qoftë se i zbatojnë këto kritere siç ka shpreh ministri, natyrisht se do të ishte mirë, mirëpo nuk shoh sinqeritet nga ana e ministrit Çollaku kur e thotë këtë sepse nuk është ministri Çollaku që mund ta bëjë vlerësimin e përmbushjes së këtyre kritereve, por janë zyrtarët e BE-së që e bëjnë një vlerësim të tillë”, tha Kursani.

Gjithashtu ai foli edhe për mosdisponimin brenda Bashkimit Evropian që Kosovës t’ia jap liberalizimin e vizave.

“Në përgjithësi ta zëmë edhe po të përmbushen këto kritere disponimi brenda Bashkimit Evropian nuk ekziston që Kosovës t’ia jap liberalizimin e vizave dhe ato për shkak të problemeve të tyre të brendshme. Mendoj se as Kosova nuk është afër t’i zbatojë ato, por edhe po t’i zbatonte nuk është situata politike brenda të disa vendeve të BE-së që t’ia jap një vlerësim pozitiv Kosovës. Kjo ka të bëjë pikërisht edhe me zgjedhjet që do të bëhen në Francë në vitet e ardhshme, por edhe në Gjermani”, u shpreh ai.

Po ashtu ai tha se beson që vetëm pas përmbylljeve së cikleve zgjedhore në këto vende, BE do të mund të jap një vlerësim, që sipas tij, minimumi jemi dy vjet përpara se të ndodh kjo”. /Telegrafi/