E gjithë prona e patundshme e regjistruar në emër të RSFJ-së, Republikës së Jugosllavisë, Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, do të kalojë në pronësi të Republikës së Kosovës, thuhet në një vendim të Qeverisë së Kosovës.
Sipas vendimit që mban datën 1 mars, në këtë pronësi përfshihen patundshmëritë shtetërore, administrative, ushtarake dhe të organizatave shoqëroro-politike.
Qeveria ka kërkuar nga Agjencia e Kadastrit që të bëjë regjistrimin e menjëhershëm të të drejëts pronësore.
Qeveria tha se po e mbështet vendimin në Kushtetutën e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë dhe Rregulloren e të drejtës ndërkombëtare për suksesionin e pronës shtetërore.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, që ka nisur këtë proces, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo çështje është dashur të përfundojë që ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj.
Kelmendi ka thënë se shumica e komunave në Kosovë janë ‘përballur me problemin e zhvillimit të hapësirave ekonomike sepse parcela të caktuara i kanë takuar Ushtrisë së Jugosllavisë’.
“Shërbimi juridik ka dhënë pëlqimin se me Kushtetutën e Kosovës të gjitha pronësitë e Ushtrisë së Jugosllavisë kalojnë në pronësinë të shtetit të Kosovës“, tha Kelmendi.
Në mesin e objekteve që i kanë takuar Ushtrisë së Jugosllavisë është edhe ai ku aktualisht është vendosur Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
“Kjo do të ndihmojë edhe në zhvillimin e sportit sepse, për shembull, një pjesë e hapësirës ku po ndërtohet stadiumi i ri gjithashtu ishte në pronësi të Ushtrisë së Jugosllavisë. Më herët nuk kemi mundur të marrim kredi të caktuara sepse ajo nuk ishte në pronësi të shtetit të Kosovës dhe tani është, prandaj edhe mund të marrim kredi për këtë“, tha Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.
Këtë hapësirë, të martën e ka vizituar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për regjistrimin në pronësi të saj të të gjithë pronës që dikur ishte në pronësi të RSFJ-së, Serbisë dhe Krahinës Autonome, “është represiv dhe ai duhet menjëherë të tërhiqet”.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është tendencioz dhe paraqet përpjekje që përmes vendimeve të institucioneve të Kosovës të vazhdohet represioni mbi popullatën serbe në Kosovë dhe Metohi, me marrjen e pasurisë shoqërore e private të popullit serb”, ka thënë Simiq, citojnë mediat serbe.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërkaq, prej tetorit të vitit të kaluar, kur është miratuar Ligji për Trepcën dhe për investimet kapitale, po i bojkotojnë institucionet e vendit dhe vendimi për pronat e paluajtshme u morr pa pjesëmarrjen e tyre.
Vendimi i qeverisë së Kosovës ka bërë që drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të takohet të mërkurën me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.