Kosova është duke i bërë të gjitha përgatitjet për të kandiduar sërish për anëtarësim në Agjencinë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Ndonëse ende nuk është konfirmuar ndonjë afat konkret se kur do të ndodhë kandidimi i Kosovës në këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radon Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës janë duke punuar në dy linja, duke forcuar koordinimin brenda institucioneve të Kosovës, por edhe koordinimin me faktorë të jashtëm, që kanë përvojë të madhe në fushat që i mbulon UNESCO, prej të cilave përvoja Kosova mund të mësojë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, Ministria e Jashtme, por edhe ministritë tjera që ndërlidhen me fushat që UNESCO i mbulon, janë duke bërë përparime në kuptimin e hartimit të dokumenteve shtesë qoftë legjislative apo strategjike, në mënyrë që të adresojë çështjet që lidhen me fushën e veprimtarisë të UNECO-s. Do të thotë, siç janë: kultura, trashëgimia kulturore, aspektet e edukimit, të komunikimit në përgjithësi, të diversitetit etj. Pra, në këtë kuptim, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar”, thotë Murtezaj.
Kandidimi i Kosovës për UNESCO, vitin e kaluar, ishte kundërshtuar mjaft fuqishëm nga Serbia, me pretendimin se Kosova dëshiron ta tjetërsojë dhe përvetësojë trashëgiminë kulturore dhe historike serbe në Kosovë. Në këtë pikë, kundërshtime ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNECO, kishte bërë edhe Kisha Ortodokse Serbe.
Lidhur me atë se cili do të jetë reagimi i kësaj kishe përballë përpjekjes së sërishme të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq, thotë se nuk dëshiron të flasë. Sipas tij, kjo kishë ende nuk e ka diskutuar këtë çështje për të nxjerrë qëndrimin e saj në opinion.
Por, megjithatë, igumeni Janjiq thotë për Radion Evropa e Lirë se respektimi i të gjitha besimeve, i lirive fetare, i objekteve dhe trashëgimive që u përkasin bashkësive fetare, duhet të tregohet me vepër.
“Të gjitha bashkësitë fetare dhe të gjitha objektet e tyre duhet të sigurohen në mënyrë të njëjtë. Ndërkaq, liria e besimit në të gjitha objektet fetare, duhet të jetë e garantuar me ligj, nëse dëshirojmë të shkojmë drejt të ardhmes”, shprehet Janjiq.
Ismajl Hasani, anëtar i Këshillit drejtues të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova e ka strategjinë për mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe monumenteve të tjera të kultit ose të kulturës materiale dhe të asaj shpirtërore.
“Është një kornizë e mjaftueshme, e cila garanton që në bashkëpunim me institucionet e sigurisë, në bashkëpunim me mekanizmat shtetëror në Republikën e Kosovës, të garantojë jo vetëm mbrojtjen, por edhe mirëmbajtjen, përkatësisht, përkujdesjen ndaj monumenteve kulturo-historike, qoftë ato të sferës materiale, qoftë ato të sferës shpirtërore”, thekson Hasani.
Ai shton se qeveritë e vendit, një pas një, kanë ndarë mjete të konsiderueshme për mbrojtjen e këtyre monumenteve dhe mbrojtjen e tillë e kanë bërë dhe po e bëjnë. Sipas Hasanit, Kosova edhe vitin e kaluar ka qenë e gatshme për t’u bërë anëtare e UNESCO-s, anëtarësim të cilin e pati kundërshtuar fuqishëm Serbia.
Hasani theksoi se kjo e fundit, edhe tash po bën fushatë në dëm të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe se politikës së Kosovës i takon që të lobojë edhe më tepër sa i takon përgatitjeve për raundin tjetër të anëtarësimit të saj në këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara.
Zëvendësministri Murtezaj thotë se institucionet e Kosovës i kanë parasysh pengesat që Serbia përpiqet t’i bëj në rrugën e Kosovës drejt UNESCO-s.
“Po shihet që prapë politika dhe Qeveria e Serbisë po tregohet destruktive përmes aktiviteteve të ndryshme, me synim pengimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO. Por, në fund të fundit, ajo nuk do të ketë sukses”, shton Murtezaj.
Më 9 nëntor të vitit 2015, Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Kosova nuk arriti të sigurojë votat e më shumë se dy të tretave të vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat ishin të nevojshme për pranimin e saj në UNESCO.