Para pesë vitesh u dha Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, që dëshmoi se aspiratat e popullit të Kosovës për pavarësi ishin legjitime duke mos cenuar asnjë normë ligjore të së drejtës ndërkombëtare. Por, sa është shfrytëzuar nga politika kjo fitore?
Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, mendon se klasa politike kosovare ka dështuar në tërësi në shfrytëzimin e kësaj “arme” në sigurimin e një numri më të madh të njohjeve. Ndërsa, Adri Nurellari — këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi – thekson se prej këtij verdikti e deri sot Kosovën e kanë njohur 38 shtete të tjera,
“Pjesa më e madhe e këtyre shteteve kanë hezituar që ta njihnin Kosovën në ditët e para të pavarësisë, sepse e konsideronin pavarësinë e Kosovës një akt që shkonte ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, thotë ai.
Korenica thekson për Telegrafin se pika me thelbësore e neutralizimit të Opinionit të GJND-së është bërë në dialogun me Serbinë, ku Kosova jo vetëm që ia ka humbur rëndësinë Opinionit të tillë, por edhe i ka dhënë momentum politik një dialogu që nuk është ndërshtetëror në raport me Serbinë e që shkon në dëm të avantazhit të krijuar nga Opinioni i GJND-së.
Në anën, Nurellari për Telegrafin thotë se verdiktin e GJND-së “politika kosovare e ka shfrytëzuar masivisht”.
“Fal këtij vendimi është bërë e mundur që imazhi i Kosovës të përmirësohet ndjeshëm dhe të krijohet përshtypja e qartë që pavarësia e Kosovës ishte një realitet pa kthim, i vulosur nga vendimi I GJND-së. Për rrjedhojë shumë shtete dhe institucione anembanë globit ndryshuan qëndrimin ndaj Kosovës”, ka theksuar ai.
Nurellari mendon se ky vendim është përdorur edhe në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Komitetit Olimpik, Komisionit të Venecias, Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim, Frankofonisë etj.”.
“Shumë shtete që fillimisht kanë qenë agresive ndaj Kosovës, gradualisht e kanë zbutur qëndrimin e tyre. Sot, pjesa dërrmuese e vendeve që nuk e njohin Kosovën, njohin dokumentet kosovare të udhëtimit dhe në shumicën e rasteve kanë votuar pro ose kanë abstenuar në rastet kur Kosova është përpjekur që të bëhet vend anëtar në një organizatë ndërkombëtare”, ka thënë Nurellari, duke u arsyetuar se vendet që e nuk e njohin Kosovën mendojnë se njohja do të inkurajonte problemet e tyre të brendshme etnike.
Por, Korenica ka mendim tjetër. Sipas tij, klasa politike kosovare, duke bërë çdo koncesion të mundshëm përballë Serbisë, i bëri të pranueshëm politikanët nacionalistë serbë në Evropën Perëndimore, e edhe i hapi rrugë Serbisë që të thirret në dialog si instrumenti i vetëm përmes së cilës mund të bëhet avancimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Sot Serbia po vazhdon t’i bëjë pengesa serioze Kosovës në anëtarësimin në organizatat rajonale (më shumë se 30) dhe në ato ndërkombëtare. Vetëm një klasë politike e papërgjegjshme sikur kjo e Kosovës, do të mund t’i bënte një neglizhim shfrytëzimit të opinionit të GJND-së për ta promovuar shtetësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e plotë të saj në mekanizmat ndërkombëtar”, ka theksuar Korenica.
Ai më tutje ka thënë se neglizhimi vazhdon edhe sot kur Qeveria e Kosovës nuk e ka idenë se si të dilet nga kjo situatë kur Serbia nuk zbaton asnjë marrëveshje substanciale me Kosovën e në të njëjtën kohë vazhdon t’i bëjë pengesë efektive Kosovës në çdo relacion ndërkombëtar.
“Kosovës i ka munguar një strategji e qartë e shfrytëzimit të Opinionit të GJND-së për të shtuar numrin e njohjeve dhe për ta ndërtuar një imazh të pakontestueshëm të shtetësisë së Kosovës në terrenin ndërkombëtar”, ka shtuar Korenica.
Ndryshe, pesë vite me parë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka dhënë Opinionin e saj sqarues se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. /Telegrafi/
Kronologji e “procesit gjyqësor”
Me rezolutën 63/3 të miratuar më 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organit kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara, dhënien e një mendimi këshillëdhënës në pyetjen nëse Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Rezoluta është miratuar me 77 vota për, 6 kundër dhe 74 abstenime.
Kjo çështje u fut ne rend dite të AP-së, pas kërkesës së Serbisë, e cila kërkonte që kjo çështje të shkonte ne GJND.
Mbështetur në nenin 65(2) të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 30 janar 2009, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i ka dorëzuar Gjykatës një dosje me dokumente që mund të hidhnin dritë në pyetjen e kërkuar. Gjykata ka përcaktuar afatet kohore brenda të cilave shtetet e interesuara do të mund të paraqisnin deklaratat, përkatësisht komentet me shkrim, si dhe më vonë ka vendosur dhe përcaktuar dinamikën e mbajtjes së seancave dëgjimore. Gjykata e ka ftuar edhe Kosovën që të paraqesë kontributet me shkrim dhe të marrë pjesë në seancat dëgjimore.
Në fazën e parë me shkrim, deri më 17 prill 2009, 37 shtete kanë dorëzuar deklarata me shkrim. Në fazën e dytë, atë të komenteve ndaj deklaratave me shkrim, komente me shkrim kanë paraqitur 15 shtete. Në periudhën midis 1 dhe 11 dhjetorit 2009, Gjykata ka organizuar seanca dëgjimore, me të cilin rast argumentet e tyre i kanë paraqitur 29 shtete. Republika e Kosovës ka marrë pjesë në të gjitha fazat e procesit në Gjykatë.
Pas një procesi të gjatë seancash e ballafaqimeve juridike – diplomatike te blloqeve për dhe kundër me 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dha mendimin e padiskutueshëm, që pavarësia e Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat relevante të OKB-së.