Kosova i di me emër e mbiemër, por Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës

E publikuar: 15/08/2020 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, deklaron se ka shumë kriminelë të cilët po fshihen në Serbi, e pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel për bashkëpunim juridik, nuk ka pasur bashkëpunim nga ky shtet. Selimi zotohet se do të ketë prioritet gjykimin në mungesë për të gjithë ata të cilët kanë kryer krime në Kosovë, e që sipas tij, dihen me emër e mbiemër. Ai po premton ndihmë edhe për gratë e dhunuara, për çka gjatë kohës së pandemisë njofton se ka pasur mbi 30 përqind shtim të rasteve.

Në një intervistë për KosovaPress, Selimi thekson se prioritet i tij në mandatin qeverisës është edhe gjykimi në mungesë. Ai shprehet se pritja e kërkim-faljes dhe padisë shtetërore ndaj agresorit serb, do të ishte e padrejtë për viktimat, meqë sipas tij shteti duhet të ndjekë kriminelët.

Ndër tjera, ai thotë se do të ndiqet secili kriminel që ka kryer krime ndaj popullatës civile shqiptare.

“Gjykimi në mungesë ka ekzistuar si term edhe më herët, por edhe Komisioni i Venedikut e ka dhënë pëlqimin që ta kemi si normë. Por për shkak të një ligji tjetër i cili e ka pasur një gabim nuk i ka dhënë mundësi Prokurorisë Speciale që t’i ndjekë kriminelët e luftës, të cilët tash fshihen në Serbi, dhe tash ata i gjykojmë në mungesë. Tash me të ardhur e kam formuar grupin punues dhe tash jemi në fazën e fuzionimit të këtij ligji të Kuvendit, i cili i ka ato gabime dhe ato pengesa në procedurë penale. Në mënyrë që ta kemi një mundësi që të gjithë ata kriminelë që kanë kryer krime të luftës në Kosovë, t’i ndjekim dhe t’i gjykojmë në mungesë. Pasi që kemi zero bashkëpunim nga Serbia. Ani pse e kemi një marrëveshje të nënshkruar me ta për bashkëpunim juridik në Bruksel, dhe kemi dërguar kërkesa sepse kemi informata të bazuara që ata kriminelë fshihen në Serbi. Që të na i dorëzojnë këtu dhe natyrisht edhe me çështjen e krimeve të luftës në Serbi apo në politikë edhe kjo do të na jap një mundësi në procesin tonë prokurorial dhe gjyqësor që të jenë më efikas që të adresojnë çështjet e krimeve të luftës”, shton ai.

Pas dy dekadave, Selimi thotë se ende nuk ka drejtësi për 20 mijë gra e burra të dhunuar seksualisht, e për shumë të tjerë të vrarë e masakruar.

Veç tjerash ai për KosovaPress ka përmendur edhe një tjetër fenomen shqetësues, dhunën në familje. Ai shprehet se shumë gra si shkak që janë të papuna, janë të detyruara të kthehen në ciklin e dhunës në familje. Për këtë Selimi ka premtuar ndihmë në risocializim.

“Për shkak të pandemisë janë rritur rastet në mbi 30 për qind. Gjithashtu fatkeqësisht ka pasur edhe fatalitete në këtë fushë. Dhe me të ardhur së bashku edhe me Rrjetin e Grupit të Grave dhe me UN Women, gjithashtu edhe me rrjetin e shitësve me pakicë kemi ardhur në një dakordim që gratë që janë në strehimore të cilat janë viktima të dhunës në familje e gjenden në strehimore t’i risocializojmë. Sepse kemi parë që ajo hallka ku këputet çështja e trajtimit të këtij fenomeni, këputet te risocializimi. Shitësit me pakicë e kanë një gamë më të gjerë të vendeve të punës që mund t’i akomodojë ato gra varësisht prej përgatitjes qoftë akademike, qoftë profesionale”, shprehet ai.

Selimi gjithashtu foli për procesin e vettingut. Procesi siç tha ai, ka qenë “puro-politik”, dhe se dy nga përfaqësuesit e shoqërisë civile i janë kthyer këtij procesi. Megjithatë, sipas tij ky proces ka nisur dhe është mbajtur takimi i parë.

“Ne e kemi caktuar tetorin si një datë kur mund ta kemi një datë kur propozohen opsionet. Unë mendoj që tetori është.. ndoshta na duhet pak më shumë kohë se sa tetori, por e kemi vendosur tetorin që të kemi edhe presionin e kohës për këtë komision që del me propozime”, ka shtuar ai.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi në një intervistë për KosovaPress, është zotuar edhe për themelimin e Gjykatës Komerciale. Kështu sipas tij do të ndërtohet një shtyllë e re e drejtësisë, ku shumë investitorë do të kenë mundësinë të investojnë në Kosovë.

“Një çështje të cilën unë e kam prioritet dhe si pjesë të strategjisë deri në fund të vitit është Gjykata Komerciale. Gjykata Komerciale është ndërmarrje shumë e rëndësishme për Kosovën sepse do të ndërtohet një shtyllë e tërë e drejtësisë. Ne kemi pasur probleme të mëdha me investitorë të cilët kanë ardhur këtu edhe biznese edhe të huaja, të cilët edhe përkundër vullnetit të mirë të investimeve janë stërzgjatur në procedura të gjykatave, do të thotë nuk ju kanë zgjidh çështjet e intereksionit të tyre banesor në mënyrë interaktive. Pse gjykata nuk i zgjidh këto në mënyrë efektive është humbje për bizneset. Tash ndërtimi i kësaj shtylle, Gjykata Komerciale do t’i japë strategji atyre që t’i qaset gjyqësori në mënyrë më efektive për problemet që ata kanë”, deklaroi Selimi. /kp/