Kosova e hapur ndaj investimeve austriake

E publikuar: 06/03/2018 16:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Austria do të vazhdojë të jetë partnerë i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës edhe në të ardhmen. Këtë mbështetje për Kosovën e ka dhënë delegacioni nga Oda Ekonomike Federale e Austrisë, i kryesuar nga Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, në takimin që janë pritur nga kryeministri Ramush Haradinaj, njofton kumtesa qveritare, transmeton Koha.net.

Haradinaj e quajti rast të veçantë vizitën dhe mundësi të mirë për të diskutuar në nivel bilateral për ekonominë në të gjitha nivelet e saja.

“Kosova është një vend i mundësive të mëdha për të investuar. Ne kemi resurset më të mira njerëzore dhe ambient të përshtatshëm që investitorët austriakë të ndjehen të sigurt dhe investimet e tyre të jenë të garantuara. Qeveria ka shpallë prioritetet e saja, ku zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës janë agjendë ditore”, tha Haradinaj.

Në takim u përmend roli i Austrisë në Kosovë në fushën ekonomike, ku deri tani mbi 100 kompani të këtij vendi janë angazhuar në projekte konkrete dhe se falë këtij bashkëpunimi çdo ditë e më shumë po rritet numri i kompanive kosovare që eksportojnë në vendet si Austria, Gjermania dhe Zvicra.

Haradinaj shprehi gatishmërinë e Qeverisë për të ruajtur marrëdhëniet bilaterale me Austrinë dhe për të shtuar bashkëpunimin në fusha konkrete, aty ku tregu i Kosovës ka më shumë nevojë si dhe përkushtimin që të krijohen kushte sa më të mira legjislative dhe administrative për investitorët austriakë./koha.net/