Koreano-jugorët shpresa pas takimit të suksesshëm me Kim Jong Un

E publikuar: 30/04/2018 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seuli është pushtuar nga optimizmi pas takimit historik mes udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un dhe Presidentit koreano-jugor Moon Jae-in. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden njofton nga kryeqyteti koreano-jugor, duke sjellë reagime dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Që nga hapi historik përtej kufirit, e para herë që një udhëheqës koreano-verior ka hyrë në territorin e Koresë së Jugut, tek momenti kur Kim Jong Un ftoi presidentin koreano-jugor Moon Jae-in të shkonin së bashku në Veri, tek bisedimet energjike që mbajtën dy udhëheqësit kokë më kokë për 30 minuta dhe deklarata e përbashkët ku angazhoheshin për një periudhë të re paqeje, takimi ndërkorean i nivelit të lartë, u ka dhënë shpresa për të ardhmen shumë banorëve në Seul.

“Isha shumë e gëzuar kur e pashë. Më ngjalli shpresën se bashkimi mund të vijë shumë shpejt”, thotë Lee Se-Jin.

Shumë prej atyre që ndoqën takimin, udhëheqësi koreano-verior iu duk si më i arsyeshëm dhe i hapur për ndryshim krahasuar me figurën autoritare që në të kaluarën ka kërcënuar të ndërmarrë goditje bërthamore kundër armiqve të tij.

“Ai kishte krijuar përshtypjen e të qenit autoritar si diktator, por la përshtypje pozitive si i guximshëm dhe i zgjuar”.

Në takim, Kim ra dakord që të përdundonte procesin e eliminimit të armëve bërthamore në Gadishullin Korean.

Koreja e Veriut ka pezulluar në mënyrë të njëanshme provat bërthamore dhe me raketa dhe zyrtarët në Seul thanë se Pheniani do të ftonte ekspertë ndërkombëtarë dhe gazetarë për të qenë të pranishëm në mbylljen e objektit ku kryhen provat bërthamore në maj.

Pas takimit të nivelit të lartë, miratimi për punën e presidentit Moon u rrit në mbi 70 për qind. Shumë votues konservatorë që nuk e mbështetën presidentin liberal tani e vlerësojnë për këmbënguljen e tij për angazhim diplomatik.

“Edhe pasi Moon Jae-in u bë president, si konservatore nuk kisha një mendim të favorshëm për të, por ai duket i sinqertë dhe i përgjegjshëm për atë që thotë dhe i bën të tjerët ta besojnë.”

Megjithatë deklarata për dhënien fund të programit bërthamor, është vetëm fillimi i procesit. Hapi i ardhshëm është takimi mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe zotit Kim që pritet të mbahet para korrikut. Ndërsa administrata e Presidentit Trump e ka vlerësuar përparimin e deritanishëm, ajo do të shohë reduktim të pakthyeshëm në programin bërthamor të veriut, para se të bjerë dakord për uljen e sanksioneve ekonomike.