Konsullata e Kosovës në NY, dërgon letrën që ishte kundër Jeremiqit në OKB

E publikuar: 09/09/2016 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Konsullata e Kosovës në New York ka dërguar një letër tek të gjithë anëtarët e OKB-së duke kërkuar nga ta që Vuk Jeremiqi të mos zgjidhet pasues i Ban Ki-moon-it.
Konsullata, siç raporton B92, në fakt e ka përcjellë letrën e shkruar nga disa shoqata të familjeve të të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Ne, përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur i bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së të mos e zgjedhin Vuk Jeremiqin në postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së”, shkruan në letrën që B92 pretendon ta ketë parë, transmeton Koha.net.

Sipas tyre, “Jeremiq është i paaftë për këtë post për shkak se vjen nga një vend që ka kryer gjenocid në luftën e Kosovës dhe qëllimisht ka refuzuar mundësinë e sqarimit të fatit të më të dashurve për familjet e të zhdukurve”.

Për shkak të kësaj, vazhdon letra sipas B91, zgjedhja e Jeremiqit do të ishte “fyerje për të gjitha familjet e personave të zhdukur dhe familjeve viktima”.

Kjo letër është e nënshkruar nga koordinatori i Këshillit të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur, Bajram Çerkini, presidentja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nusrete Kumnova, presidenti i Shoqatës për Zbulimin e Fatit të Personave të Zhdukur, Haki Kasumi dhe presidenti i shoqatës Zëri i Prindërve, Hysen Hyseni.

Ata thonë se Jeremiqi, i cili gjatë periudhës 2007 deri më 2012 ka shërbyer si Ministër i Jashtëm i Serbisë, “nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi”, transmeton Koha.net.

“Vuk Jeremiq, i cili është lindur dhe rritur në Serbi, mban postet më të rëndësishme në politikën serbe, dhe është një prej njerëzve më përgjegjës për gjenocidin në vitet e ’90-ta në ish-Jugosllavi, për krimet që lanë më shumë se 40 mijë persona të zhdukur si dhe 800 mijë viktima”, shkruan në letër.

Pas kësaj, nënshkruesit e letrës thanë se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së duhet të jetë një persona me “moral të lartë dhe kualifikime profesionale”, dhe se ky person “nuk mund të jetë Jeremiqi”.

Në fund, Kombeve të Bashkuara, sipas B92-shit, i kërkohet “të shtojë presionin mbi Serbinë, mdi politikanët serbë si Vuk Jeremiq, -për të ofruar informatat e nevojshme për gjetjen e të zhdukurve”.