Është konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Kryetari i komisionit, Burim Ramadani është zotuar publikisht se komisioni do të punojë mbi faktet dhe argumentet reale mbi vrasjen e Arlinda Zekajt. Ai po ashtu tha se pret që puna e komisionit të mos politizohet.
“E kujtojmë që vrasja e Arlinda Zekajt është alarm për të gjithë ne dhe prandaj qëllimi është se ky komision të punojë mbi bazën e fakteve, dëshmive dhe përgjegjësive konkrete. Ky komision nuk është farsë, është komision që nuk do të bëjë raport politik, por do të bëjë raport mbi bazën e fakteve. Duke thënë për vete, si njëri prej jush, pres që secili të ketë synim të njëjtë, të mos e politizojmë komisionin, por ta kryejmë punën që na është besuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha Ramadani.
Ramadani njoftoi se në komision përfshihen tri faza, faza e hetimeve që përfshin mbledhjen e provave, vlerësimin e hetimeve dhe përgatitjen e raportit final.
“Asnjë grua në Kosovë nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi që është drejtuar shtetit për ndihmë dhe asnjë institucion nuk duhet të jetë mbi përgjegjësinë që e ka për të mbrojtur jetën e secilit qytetar të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh për të hetuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Kuvendi i Kosovës e kishte themeluar këtë komision më 29 tetor, me 90 vota për. Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo u kishte dërguar letër institucioneve duke alarmuar se jeta e saj ishte në rrezik./EO
































