Konjufca pret delegacionin e Odës Tregtare të Ankarasë, flasin për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve

E publikuar: 17/10/2023 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim delegacionin e Odës Tregtare të Ankarasë, ku kanë biseduar për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga deputetë, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Turqinë, priti sot në takim një delegacion nga Oda Tregtare e Ankarasë (ATO), të kryesuar nga presidenti Gursel Baran. Në takim, ndër të tjera, u bisedua për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve tona.”

Konjufca i ka njoftuar ata në lidhje me infrastrukturën ligjore dhe mundësitë për investime në Kosovë, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit tregtar në fusha me interes për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Odën Tregtare të Ankarasë dhe shtetin mik të Turqisë.

“Ai po ashtu inkurajoi investimet e kompanive turke në sektorët e ndryshëm të ekonomisë së Kosovës.”

Ndërsa, delegacioni turk falënderoi Konjufcën për pritjen e ngrohtë dhe çmoi angazhimin e tij në nxitjen e marrëdhënieve të ndërsjella tregtare.

“Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i ATO-s, i cili shoqërohej nga nënkryetari, Halil Ibrahim Yilmaz, kryetari i Federatës Shqiptare, Hivzi Krusha, kryetari i Fondacionit Shqiptar për Kërkime Kulturore dhe Edukim i vendeve të Ballkanit dhe deputetë të Ankarasë, shprehën interesimin e dyanshëm për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë të bizneseve me qëllim të avancimit të mëtejshëm të interesave të  përbashkëta ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.​”