Konjufca: Gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë

E publikuar: 26/03/2021 18:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël të Komunës së Rahovecit.

Ai u shpreh se sa herë shkojnë aty kuptojnë edhe më mirë që Kosova i ka tri plagë, e që sipas tij, çka është më e keqja, janë plagë të hapura të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj.

Konjufca ka kujtuar edhe intelektualin e patriotin e madh, Ukshin Hoti.

“Të mos harrojmë që njëri prej personaliteteve më të shquara te kombit shqiptar ka lindur këtu, është vendlindja e tij dhe po atë fat e ka pas edhe ai. Po flas për intelektualin e patriotin tonë të madh, Ukshin Hoti, i cili u zhduk në muajin maj të vitit 1999 prej forcave policore të Serbisë, dhe që prej asaj date nuk dihet gjë për fatin e tij. Institucionet duhet të bëjnë dukshëm më shumë se që kanë bërë përpara për të gjitha këto që i thash, duke e përfshirë edhe zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit”, ka theskuar u.d presidenti.

Sipas tij gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë, në themelet e lirisë të Republikës së Kosovë.

“Në Serbi jo vetëm që mijëra kriminelë të luftës janë të lirë e të padënuar, të patrajtuar nga drejtësia, por çka është më e keqja përmes politikës së sotme të cilën po e zhvillojnë përfaqësuesit shtetëror të Serbisë, po na tregojnë që Serbia në masë të madhe nuk është shkëputur nga ajo logjikë e atij pushteti, e cila e ka shkaktuar gjenocidin në Kosovë gjatë luftës së fundit”, ka thënë ai.