Komisioni për Buxhet i rekomandon Konjufcës ta kthejë në pikën zero përzgjedhjen e Guvernatorit

E publikuar: 07/04/2023 16:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për afër një orë dhe pas largimit të opozitës për shkak të vonesës së mazhorancës, pesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur ta bëjnë kuorumin në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku në rend dite është propozimi për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja tha se do t’i kërkojnë kryetarit të Kuvendit që procesin e përzgjedhjes së Guvernatorit ta kthejnë në pikën zero.

“Bazuar në nenin 110 paragrafi 4 të rregullores së Kuvendit në rastin kur kandidaturat nuk i plotësojnë kushtet sipas Ligjit, Komisioni kërkon nga kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mospërmbushje të kushteve”, tha Muja.

Kundër këtij propozimi u shpreh edhe deputeti i VV-së, Eman Rrahmani. Ai tha se nuk ka arsye që ky proces të kthehet në pikën zero.

“E vetmja arsyeje është te përcaktimi i numrave që vijnë për votim në Kuvend. Mënyra si është zgjedh ai numër është eleminues dhe asnjë procedurë tjetër nuk është që mundemi me kthyer mbrapsht. Kjo është arsyeja e vetme që me kthyer mbrapsht këtë proces”, tha Rrahmani.

Kundër u shpreh edhe deputetja Duda Balje. Ajo kërkoi të di se cili kandidat nuk i ka plotësuar kushtet që ky proces të bëjë të kthehet në pikën zero.

Propozimi i votua me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.