Komandanti i Ushtrisë Amerikane i referohet FSK-së si Ushtri e Kosovës

E publikuar: 27/09/2016 07:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më shumë se 1700 trupa të Forcave të Armatosura shqiptare, atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Italisë, Kosovës dhe Malit të Zi po zhvillojnë në disa rajone të Shqipërisë stërvitjen 10-ditore “Joint Effort”.

“Kemi 7 vjet që jemi në NATO, por kjo është hera e parë që ne organizojmë dhe bashkëdrejtojmë në vendin tonë një stërvitje me të tilla përmasa”, deklaroi Jeronim Bazo, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Stërvitja në Bizë të Martaneshit u ndoq nga afër edhe nga komandanti i Ushtrisë Amerikane në Evropë, Ben Hodges.

“Ushtria shqiptare po përparon, por ka ende për të bërë. Duhet të dimë që asgjë nuk është falas ndaj Shqipëria duhet të rrisë investimet për ushtrinë. Shqipëria ka dhënë një zotim që buxheti për ushtrinë do të jetë 2 % e GDP-së. Sa i takon ushtrisë së Kosovës, anëtarësimi në NATO është një vendim politik”, deklaroi Hodges, transmeton lajmi.net.

Është hera e parë që një gjeneral i NATO-s i drejtohet FSK-së më emertimin ushtri. Kjo, pasi që FSK-ja me statusin aktual nuk ka mision ushtarak, por vetëm lehtësues dhe ndihmues. Ka një kohë të gjatë që është paralajmëruar shndërrimi i FSK-së në FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës), por një gjë e tillë ka mbetur vetëm premtim.

Sipas vlerësimeve të NATO-s, FSK-ja i plotëson tashmë të gjitha kriteret që të jetë ushtri e mirëfilltë.