Komandant Remi godet partinë: Njerëzit e angazhuar rishtas në PDK kanë lidhje të afërta me ish pushtuesin

E publikuar: 19/01/2021 14:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka akuzuar këtë subjekt politik se ka akomoduar oportunistë dhe njerëz që kanë lidhje me Serbinë.

“PDK është parti e themeluar nga njerëz që kanë demonstruar kredenciale të larta morale e kombëtare në kohët e arritjeve të mëdha kombëtare. Me kalimin e viteve, ajo ka akomoduar edhe oportunistë e njerëz që kanë qenë të afërt me ish pushtetin e para vitit 1999. Sot, me njerëz që janë angazhuar rishtazi (Doktoranta, mastera të internetit e lloj-lloj kualifikimesh)në PDK, kemi arritur deri aty sa dikush që vjen nga lidhje të afërta me ish pushtuesin, të jap ‘çertifikata’ për individë brenda PDK-së, që përcaktojnë shkallën e lojalitetit të tyre ndaj vlerave të UÇK-së, madje, këtë ‘çertifikatë’ ja akordojnë edhe vet eprorëve të UÇK-së”, ka shkruar Mustafa, transmeton KlanKosova.tv.

Sipas tij të tillët nuk i duhen gjë PDK-së dhe ata, është koha të largohen nga ky diskurs krejtësisht cinik.

“Ka një kohë që e kam pushuar aktivitetin tim në strukturat e PDK-së, por nuk mund të rrija neutral e të mos reagoj ndaj personazheve që njihen për afërsinë e tyre me ish pushtetin e që sot, kinse në emër të reprezentimit të PDK-së, aktrojnë superioritet e lidership ndaj personaliteteve më meritore të hierarkisë së UÇK-së”.

“Kjo nuk duhet të tolerohet nga PDK”.