Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj arrestimit të Drejtorit të Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçit.
KMDLNj përmes një reagimi ka thënë se nuk është hera e parë që shqiptarët arrestohen nga autoritetet serbe dhe malaziase por edhe nga ato ndërkombëtare sikur që ndodhi në Bullgari, Hungari, Austri ,e disa vende të tjera ku , me kërkesën e Serbisë drejtuar Interpolit u ndaluan/arrestuan edhe bartësit më të lartë institucional sikur ishin Hashim Thaçi dhe Agim Çeku të cilët , pas ndërhyrjes ndërkombëtare u liruan.
Më tej në reagimin e KMDLNj thuhet se reagimi i institucioneve ka qenë kurrfare hiç kurse kërkesa që EULEX dhe BE të intervenojnë për lirimin e Nehat Thaçit është shprehje e pafuqisë institucionale dhe shtetërore .
Më poshtë reagimi i plotë:
Në bazë të një fletarresti të Gjykatës së Nishit , në vendkalimin kufitar me Serbinë , “Dheu i Bardhë” , u arrestua drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës , Nehat Thaçi i cili dyshohet nga autoritetet serbe për veprën penale të terrorizmit e që ndërlidhet me zhvillimet e vitit 1999 në komunën e Lypjanit . Nehat Thaçi ishte ushtar i UÇK-së dhe veteran i luftës. Nuk është hera e parë që shqiptarët arrestohen nga autoritetet serbe dhe malaziase por edhe nga ato ndërkombëtare sikur që ndodhi në Bullgari, Hungari, Austri ,e disa vende të tjera ku , me kërkesën e Serbisë drejtuar Interpolit u ndaluan/arrestuan edhe bartësit më të lartë institucional sikur ishin Hashim Thaçi dhe Agim Çeku të cilët , pas ndërhyrjes ndërkombëtare u liruan. Policia e Kosovës ka deklaruar se drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës , Nehat Thaçi u arrestua si person privat shkaku se ishte nisur për vizitë në shtete perëndimore (private) dhe se nuk ishte në cilësinë e udhëtimit zyrtar që , sipas KMDLNJ –së aspak nuk e zvogëlon poshtërimin që Serbia i bënë Kosovës duke ia arrestuar zyrtarët e lartë sikur të ishin hajna të pulave. Nehat Thaçi , si ish ushtar i UÇK-së është dashur të jetë shumë i kujdesshëm kur ka vendosur të udhëtojë përmes territorit të Serbisë dhe ka bërë llogari të gabuar kur ka menduar se do të kalojë më lehtë në pikëkalimin afër Konçulit ( ku ka më shumë policë shqiptarë) aq më parë që listat e Serbisë për të dyshuarit shqiptarë të Kosovës janë shpërndarë, jo vetëm në Serbi por edhe te Interpoli . Nehat Thaçi i ka besuar marrëveshjes për liri të lëvizjes të nënshkruar në Bruksel sikur që ka rënë viktimë e naivitetit të vet duke ditur se një person që është bartës i një posti të lartë në kierarkinë e Policisë së Kosovës dhe me një të kaluar të qenit ushtar i UÇK – së , mund të kalojë pahetueshëm nëpër territorin e Serbisë ! Reagimi i institucioneve ka qenë kurrfare hiç kurse kërkesa që EULEX dhe BE të intervenojnë për lirimin e Nehat Thaçit është shprehje e pafuqisë institucionale dhe shtetërore .
Regimi i “ministres për dialog “ se këtë çështje do ta adresojë në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit është manipulim dhe mashtrim i radhës kurse Serbia , me këto arrestime kriminale vetëm se po përfiton politikisht. Kurse , institucionet kosovare të vënë në një defansivë të plotë janë shndërruar në një lypës që kërkon mëshirë nga BE, Eulex dhe Serbia për një çështje që është dashur të zgjidhet shumë më herët siç janë listat e fshehta për arrestim të zyrtarëve të Kosovës. Serbia , në këtë mënyrë donë ta amnistojë strukturën e saj kriminale që ka kryer krime gjenocidale në Kosovë , duke arrestuar zyrtarë të Kosovës , si barazpeshim .
KMDLNJ , edhe me herët ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë të bëjnë me luftën e UÇK-së duhet ta anashkalojnë territorin e Serbisë gjatë udhëtimit në shtetet tjera sepse, në fund të fundit , Serbia nuk na ka lënë aq ëmbël që të udhëtojmë në territorin e saj , aq më parë që edhe sot në Serbi janë udhëheqës me të kaluar çetnike, me të tashme shoviniste, që e ka okupuar një pjesë të Kosovës dhe që përpiqet me të gjitha mjetet e mundshme ta shkatërrojë Kosovën. Çdo shtet normal , në këtë rast do të përgjigjej me reciprocitet dhe kjo është vërejtja për institucionet e Kosovës që po tregohen aq tolerantë ndaj një neoçetniku siç është Marko Gjuriq që është kryeministër i serbëve të Kosovës dhe ministrave shovinistë të qeverisë Mustafa. Arrestimi i Nehat Thaçit nuk do të jetë arrestimi i fundit dhe pyetja është : deri kur do të durojmë poshtërimin shtetëror dhe kombëtar dhe do të lejojmë këtë poshtrim të arrestimeve të zyrtarëve dhe qytetarëve të Kosovës sikur edhe deri kur do t’i durojmë eskursionet çetnike dhe shoviniste të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë dhe ministrave të Serbisë , në qeverinë e Kosovës ?!