Klubi i Prodhuesve mbështet vendimin e qeverisë për reciprocitet me Serbinë

E publikuar: 01/04/2020 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) e ka përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas këtij klubi, ky vendim obligon që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, emërtimet në certifikatat fitosanitare dhe certifikatat veterinare, bashkë me dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) ka theksuar se beson në tregtinë e lirë dhe në integrimet rajonale dhe evropiane, por po ashtu besojmë se në marrëdhëniet tregtare duhet të respektohen parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare.

“Në periudhat në vazhdim është shumë me rëndësi që Qeveria të monitoroj masat dhe të mbroj tregun vendor me masat anti-dunping dhe nga praktikat jo të drejta tregtare, duke pas parasysh që në të kaluarën shumë produkte serbe kanë hyr në tregun e Kosovës të subvencionuara ose nën koston e prodhimit kështu duke i bërë prodhuesit vendor jo-konkurrues”, ka njoftuar KPK-ja.

Më tutje, KPK-ja u ka bërë thirrje të gjithë prodhuesve, ndërmarrësve dhe tregtarëve që të raportojnë të gjitha barrierat në të cilat hasin gjatë aktivitetit të tyre.