Gazeta Infokus ka zbuluar nga dokumentet zyrtare se prona për të cilën kishte raportuar se është shitur në formë direkte pa tender nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për babain e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, gjendet brenda lagjes më luksoze të Ferizajt, Panorama.
Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara nga AKP-ja, parcela prej 2.524 metrash katrorë i është shitur Hysni Ramadanit dhe Shaban Aliut për 120 euro për metër katror.
Të dy janë pronarë të kompanisë “Nderimi SHPK”, e cila ka zhvilluar kompleksin rezidencial Panorama në Nekodim të Ferizajt.
Bëhet fjalë për një nga zonat më ekskluzive të banimit në qytet, ku janë ndërtuar dhjetëra vila dhe shtëpi luksoze, shumica prej tyre me pishina private dhe infrastrukturë moderne.
AKP-ja ka arsyetuar shitjen me negocim të drejtpërdrejtë me faktin se prona në fjalë ishte e rrethuar nga parcela të privatizuara më herët.
Megjithatë, mbeten të hapura pyetjet se si një pronë shtetërore përfundoi brenda një kompleksi të tillë privat dhe sa prona të tjera janë privatizuar më herët në këtë zonë, duke bërë që edhe kjo parcelë të shitej pa tender.
Ndiqni më poshtë storien ku Infokus për herë të parë publikon edhe një pjesë të bisedës me Hysni Ramadanin:




























