Kina mbyll platformën e tregtimit të Bitcoin

E publikuar: 15/09/2017 15:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina ka shtrënguar frenat ndaj Bitcoin-it. Menjëherë pas njoftimit të autoriteteve financiare, BTC Kina, platforma më e madhe e këmbimit të kriptomonedhave, ka njoftuar pezullimin e aktiviteteve operacionale për klientët, të cilët janë rezidentë në Kinë.

Bllokada e këmbimit të Bitcoin për kinezët erdhi pas frikës që shkaktoi Pekini, duke bllokuar ICO. Ofertat fillestare të valutave për shërbimet financiare dhe shoqëritë e kriptomonedhave në muajt e fundit u shtuan në mungesë të legjislacionit dhe kontrollit.

Frika e bllokimit në Kinë u kapërcye gjatë javës së fundit duke çliruar tregjet. Pasi kapi nivelin më të lartë të këmbimit, 1 BTC = 5000 $, në fillim të shtatorit, Bitcoin është dobësuar në mënyrë progresive dhe aktualisht këmbehet në nivelin e 3,350 dollarëve, me rënie më shumë se 20%. Në fillim të vitit, këmbimi luhatej në nivelin e 1000 dollarëve.

Platformat e tjera

Aktualisht në Kinë operojnë dhe dy platforma të tjera të tregtimit online të Bitcoin, OkCoin dhe Huobi, të cilët kanë njoftuar se nuk kanë marrë asnjë paralajmërim nga qeveria kineze dhe kështu aktiviteti i tyre do të vazhdojë normalisht.

Bitcoin, një flluskë

Gjithnjë e më shumë ekspertë po argumentojnë që monedha virtuale është një flluskë.

Së fundmi, Jemie Dimon, drejtor Ekzekutiv i JP Morgan, deklaroi se Bitcoin është një flluskë edhe më e keqe se flluska e Tulipanëve. Flluska e Tulipanëve daton që nga shekulli i 17-të kur bima mbërriti për herë të parë në Europë dhe njerëzit filluan të spekulonin në çmimin e lules.

Ai shtoi për Bloomberg se është e gjitha një mashtrim dhe se herët ose vonë flluska do të shfryhet. Çmimi i Bitcoin është rritur më shumë se 350% brenda këtij viti.

Dimon nuk është i vetmi skeptik për sa i përket Bitcoin. Edhe Robert Shiller, nobelist në Ekonomi, mban të njëjtin qëndrim se Bitcoin është një flluskë.