Kina mbështet konceptin e autonomisë strategjike të BE-së

E publikuar: 09/07/2022 18:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi shprehu mbështetjen e Kinës për konceptin e autonomisë strategjike të BE-së, gjatë takimit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë Josep Borrell. Të dy kryediplomatët ndodhen në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G20-s.
Lidhur me çështjen e Ukrainës, Wang tha se propozimet e Kinës kanë shpjeguar qartë qëndrimin e saj për krizën e Ukrainës dhe duhet të shërbejnë si një udhërrëfyes kyç për të garantuar paqen dhe sigurinë afatgjatë.
Ai theksoi se palët përkatëse duhet të reflektojnë seriozisht mbi arsyet thelbësore të konfliktit, të trajtojnë shqetësimet e arsyeshme të të gjitha palëve dhe të shmangin rrënjësisht rrezikun e fshehur të luftës.
Të gjitha përpjekjet që ka bërë deri tani Kina, kanë synuar lehtësimin e zhvillimit të dialogut për paqen, i tha Wang Borrellit, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të mbajë një pozicion objektiv e të paanshëm dhe të luajë një rol konstruktiv.

Ministri i Jashtëm kinez i bëri thirrje BE-së që të luajë një rol më aktiv bashkërendues dhe të paraqitë propozime realiste e të realizueshme.
Nga ana e tij, Borrel-i tha se BE-ja është thellësisht e shqetësuar mbi ndikimin negativ të konfliktit ruso-ukrainas dhe shpreson që Kina do të luajë një rol të rëndësishëm për arritjen e paqes.
Duke vënë në dukje se Kina e BE-ja janë dy forca të rëndësishme në botën shumëpolare, Wang i nxiti të dy palët që t’i përmbahen orientimit bazë të partneritetit të tyre të gjithanshëm strategjik dhe të ruajnë momentin pozitiv të dialogut dhe te komunikimit.