Vazhdimisht thuhet se njerëzit jetojnë në një periudhë të frikshme e të re të “Post Fakteve”, dhe se janë të rrethuar gjithandej nga propaganda dhe trillimet.
Shembujt nuk janë të vështirë për t’u gjetur, sidomos në Serbinë e Aleksandër Vuçiq’it e sidomos, kur diçka ka të bëjë me Kosovën.
Po shënon një javë prejse serbët lokalë në Veri të Kosovës ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët në disa lokacione të ndryshme në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Prezencën Policisë së Kosovës në këto zonat të banuara me shumicë serbe, aparati propagandistik në Serbi, por edhe akivistët serbë të shoqërisë civile në Kosovë, në të shumtën e rasteve e kanë cilësuar si “okupim të veriut nga Albin Kurti”.
Përveç shtrembërimit të së vërtetës, janë përdorur edhe fraza semi-neutrale si “prani ilegale në veri”, “ushtrim i dhunës ndaj serbëve”, “armë të gjata”, “terrorizëm”, “dhunim i nenit 2 të Kushtetutës së Kosovës”, e çka jo tjetër. Ndërkohë, në epokën e Facebook’ut dhe Twitter’it, shpeshherë është e vështirë të vendosësh se cilin nga variantet e ngjarjes ta besosh – të paktën nuk është më e mundur për një regjim të bëjë propagandë pa e marrë vesh bota për atë që po ndodh.
Sipas ligjëruesit të medias dhe konfliktit në Universitetin Adger në Norvegji, Abit Hoxha, mund të identifikohen disa grupe përmes të cilave Serbia po mundohet të zhvillojë propagandën e saj rreth pjesës veriore të Kosovës pas tensioneve të fundit.
Një një prononcim për Albanian Post, Hoxha thotë se në gjirin mediave sociale, përveç numrit të madh të llogarive automatike apo siç njihen ndryshe si “bots and trolls”, hasen edhe persona që flasin sipas narracionit konfliktuoz të instaluar nga Vuçiç.
“Grupi i parë është i automatizuar dhe shihet shumë lehtë sepse nuk mund të angazhohen në bisedë normale dhe në metafora apo fjali që simbolizojnë diçka tjetër përveç kuptimit të drejtpërdrejt”.
Kurse, siç vëren ai, grupi i dytë është i organizuar rreth pretendimeve qesharake mbi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për kthimin e personelit serb në Kosovë.
“Këta janë individë të organizuar që e flasin narracionin e njëjtë duke futur fjalë strategjike në komunikim. Për shembull, fjalët sikurse ‘toka jonë’, ‘KiM’, ‘UÇK terroriste’ dhe të tjera”, shpjegon Hoxha.
Mirëpo, ai vëren edhe një organizim që aktualisht nuk po flitet shumë për të ose s’ka rënë akoma në sy, por kjo s’do të thotë se është më pak i rrezikshëm.
“Ka një fushatë të organizuar që bullizojnë të gjithë ndërkombëtarët që në një formë apo tjetër përkrahin Kosovën sepse kjo në fakt funksionon si strategji”.
“Kërcënimet nga anonimët në Twitter dhe platforma tjera sociale janë reale dhe brengosëse”, shton ai.
Ndërkaq, aspekti tjetër i propagandës serbe, është edhe “mass content” sikurse në fillim të shtatorit kur me rastin e intervenimit të policisë në veriun e Kosovës, pati një numër të madh të cicërimave në Twitter që erdhën nga India dhe Gana.
“Këto forma të kontentit për platforma sociale apo algoritme kanë për qëllim vërshimin e hapsirës digjitale që të krijohen trende dhe që temat të viralizohen që të kenë ndikim në konflikt”.
Lufta e propagandave dhe e mediave shënjon përhershmërinë e konfliktit dhe përdorimin pa kufi të mjeteve të presionit dhe ndoshta njëri ndër aspektet më interesante është ndërtimi i narrativave strategjike.
Megjithatë, një prej karakteristikave kryesore të mbulimit të ngjarjeve në përgjithësi ishte të ushqyerit e narrativave të konfliktit.
Në fakt, shumica e mediave janë bashkëpunëtore në këto taktika dhe veprojnë si një mjet për propagandën nacionaliste të Serbisë, në përjashtim të një grupi tejet të vogël të mediave të pavarura.
Hoxha thekson se qëllimi i këtyre grupeve është që të normalizohet retorika e tyre kërcënuese ndaj Kosovës.
“Qëllimi më i fshehur është normalizimi i gjuhës së tillë – dhuna ndaj serbëve, prani ilegale në veri, formacione monoetnike. Kjo gjuhë është e Aleksandër Vulin’it dhe Aleksandër Vuçiç’it”.
“Normalizimi i kësaj gjuhe është në fakt propaganda ma e madhe që po e bën Serbia për momentin”.
Joseph Goebbels, mjeshtëri i propagandës naziste dhe ndoshta eksperti më i arrirë i medias së kohëve moderne, e shpjegonte në mënyrë të përmbledhur metodën me shprehjen: “Një gënjeshtër e thënë një herë mbetet një gënjeshtër, por një gënjeshtër e thënë mijëra herë bëhet e vërtetë”.
Te Mein Kampf, Adolf Hitleri shkruante se: “Teknika më e mirë propagandistike nuk do të ketë sukses nëse një parim themelor qëndron në mënyrë të vazhdueshmë në mendje – ajo duhet t’u përmbahet disa pikave dhe t’i përsërisë pareshtur ato”.
Në vend që të paraqesin një të ardhme me mundësi dhe shpresa për qytetarët e tyre, politikanët serbë ofrojnë të tashmen e përjetshme me armiq të përcaktuar dhe kriza artificiale.