Kështu Duket Fletëvotimi Për të Votuar Albin Kurtin

E publikuar: 21/01/2018 16:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje sot është duke i mbajtur zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë.

Anëtarët e kësaj partie në fletëvotime kanë vetëm një emër – Albin Kurtin dhe me tre opsione; PËR, KUNDËR dhe ABSTENIM.

Zgjedhjet për kryetar të Vetëvendosjen kanë filluar në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në orën 19:00.

Pak më herët, Komisioni Zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje njofton se procesi i votimit në zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë po zhvillohet në mënyrë të rregullt.

Në garë për kryetar të VV-së është vetëm një kandidat – Albin Kurti.

KALLXO.com ka siguruar fotografi të fletëvotimeve të votimit për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zgjedhjet në Vetëvendosje vijnë pas përçarjeve dhe dorëheqjeve të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të saj.

Kujtojmë se dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në organet e partisë ka dhënë edhe kryetari i VV-së, Visar Ymeri.

Ndryshe, Ymeri kishte marrë kreun e Vetëvendosjes më 1 mars 2015.

Mandati i tij në krye të VV-së skadonte në shkurt 2018 kur edhe do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e brendshme të subjektit.

Por, gjërat u përshpejtuan pas shpërthimit të krizës në këtë parti sidomos pas publikimit të një bisede në “viber” mes zyrtarëve të këtij subjekti, ku Albin Kurti ofendohej nga Aida Dërguti.

Duhet theksuar se Vetëvendosje gjatë mandatit të kryetarit Visar Ymeri u rrit si subjekt duke dyfishuar madje votat dhe rezultatet në zgjedhjet lokale e parlamentare.

Ish-kryetari, ndërkaq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një subjekti të ri pas zhvillimeve të fundit në Vetëvendosje./kallxo.com/