Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton rezolutën që bën thirrje për një seri pauzash humanitare në Gaza

E publikuar: 16/11/2023 09:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për një sërë pauzash humanitare në Gaza.

12 shtete votuan në favor të miratimit të rezolutës gjatë sesionit të së mërkurës. Tre vende – SHBA-ja, Rusia dhe Britania e Madhe – abstenuan nga votimi.

Rezoluta bën thirrje për pauza dhe korridore urgjente dhe të zgjatura humanitare në të gjithë Rripin e Gazës, për një numër të mjaftueshëm ditësh për të mundësuar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, akses të plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar për agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara dhe zbatimin e tyre”, raporton CNN.

Organizata joqeveritare Human Rights Watch vlerësoi miratimin e rezolutës.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së sapo i dërgoi një mesazh të rrallë dhe të fuqishëm Izraelit, Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura se pajtueshmëria me ligjin ndërkombëtar humanitar është e panegociueshme. Deri më tani, ka pasur shpërfillje të gjerë për civilët nga të gjitha palët. Fakti që SHBA më në fund ndaloi së paralizuari këshillin për Izraelin dhe Palestinën, në mënyrë që kjo rezolutë për gjendjen e fëmijëve në Gaza të mund të ecë përpara, duhet të jetë një thirrje zgjimi për autoritetet izraelite se shqetësimi global, madje edhe midis aleatëve të saj, është i fortë”, tha Louis Charbonneau, drejtor i OKB-së në Human Rights Watch.