Është kërcënuar prokurori Ersan Qavolli, pas sekuestrimit të mbi 1 ton lëndë narkotike në Pejë, aksion i kryer në fund të muajit të kaluar.
Kjo u bë e ditur nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, e cila e dënoi këtë veprim.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës dënon me ashpërsi çdo formë kërcënimi apo presioni ndaj prokurorëve që janë në vijën e parë të mbrojtjes së ligjit dhe drejtësisë. Në lidhje me kërcënimin e bërë ndaj Prokurorit Ersan Qavolli, pas sekuestrimit të mbi 1 ton lëndë narkotike në Pejë, Shoqata jonë shpreh shqetësim të thellë dhe solidaritet të plotë me Prokurorin Qavolli dhe të gjithë kolegët që përballen me sfida të tilla në ushtrimin e detyrave të tyre.”
“Ne si Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Kosovës inkurajojmë hetuesit policor së bashku me prokurorin e rastit që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e integritetit dhe sigurisë së prokurorit, si dhe për të ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre veprimeve të paligjshme.” – thuhet tutje në reagim.